Ky është 22-vjeçari që dyshohet se theu zyrat e OVL UÇK-së në Lipjan, vodhi shtëpizën e kompjuterit

02 Press më parë raportoi për arrestimin e personit të dyshuar lidhur me vjedhjen që ndodhi ditë më pare në zyrën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Lipjan. 22-vjeçari u arrestua nga Policia pas dy ditësh.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se personi që ra në prangat e Policisë është Dardan Uka.

Uka u identifikua dhe u arrestua dje pas një pune hetimore të Policisë së Kosovës, ku më pas u shoqërua në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, 22-vjeçarit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.

Kujtojmë se rasti është konfirmuar edhe nga vetë zyrtarët e OVL-UÇK-së në Lipjan, të cilët kanë bërë të ditur se 22-vjeçari kishte arritur që të marrë shtëpizën e kompjuterit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Policia zbarkon në një fshat të Suharekës: Arrestohet i riu që gjuajti me armë, sekuestrohen rreth 150 fishekë