Kuvendi sot pritet t’i shqyrtojë dy projektligje me procedurë të përshpejtuar

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot për t’i shqyrtuar dhe votuar në parim dy projektligje me procedurë të përshpejtuar të shpërndara tek deputetët me 5 tetor 2022

Në dokumentin të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se kërkesa për mbajtjen e një seance të tillë është thirrur nga shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me mbështetjen edhe të 29 deputetëve të grupit të që ajo e udhëheq (LVV).

Sipas kërkesës të dorëzuar te kryetari i Kuvendit, bëhet fjalë për shqyrtimin e Projektligjit nr.08/L-179 për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg dhe për Projektligjin nr.08/L-183 për mbështetjen e punëve publike.

Kërkuesja e seancës, Kusari-Lila në arsyetimin e shkruar ka thënë se të dy projektligjet janë shqyrtuar dhe miratuar në parim nga komisionet funksionale dhe për shkak të rëndësisë që kanë, propozojnë që shqyrtimi i tyre të bëhet me procedurë të përshpejtuar në seancë plenare.

Kusari-Lila ka kërkuar që shqyrtimi i parë të bëhet sot (e premte), ndërsa shqyrtimi i dytë të bëhet katër ditë më vonë. Në këtë mënyrë, komisionet funksionale dhe ato të përhershme do të kenë kohë për t’i shqyrtuar amendamentet e mundshme të deputetëve për vetëm tre ditë, dhe atë dy ditë të fundjavës dhe një ditë të punës, të hënën e ardhshme.

“Betimi për Drejtësi”, tre ditë më parë kishte raportuar për miratimin në parim të dy projektligjeve nga komisionet funksionale, të cilat ishin rekomanduar për votim nga ana e deputetëve.

Sipas Rregullores së Kuvendit, të drejtën e parashtrimit të shqyrtimit të projektligjeve me procedurë të përshpejtuar e kanë Qeveria dhe ¼ e deputetëve të Kuvendit, gjithnjë duke pasur parasysh se shqyrtimi i tillë nuk mund të bëhet më herët se 48 orë nga shpërndarja e materialit, ndërsa shqyrtimi i dytë nuk mund të bëhet më herët se 72 orë nga dita e miratimit në parim.

Lexo edhe:  Ish-komandanti i ushtrisë serbe: Shërbimet e sigurisë në Serbi janë shkatërruar, Kosova të dielën triumfoi mbi Vuçiqin

Kjo dispozitë e rregullores së Kuvendit është respektuar në tërësi, por këtu duhet shtuar faktin që përdorimi i shpeshtë i procedurës së përshpejtuar të shqyrtimit të projektligjeve kyçe është përmendur si e gjetur në Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2022, në lidhje me institucionin e Kuvendit të Kosovës./BetimipërDrejtësi