Kuvendi mblidhet sot për votimin e Qeverisë së re

Sot, me fillim nga ora 10:00, pritet të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës ku kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do t’u prezantojë deputetëve përbërjen e Qeverisë së re.

Megjithatë, ende mbetet e paqartë nëse Kurti ka arritur t’i sigurojë votat e nevojshme për ta formuar kabinetin. Deri tani nuk ka pasur ndonjë konfirmim zyrtar nga Vetëvendosje lidhur me numrat në Kuvend.

Të shtunën, Kurti u pyet nga gazetarët nëse partia e tij i ka siguruar votat, por ai zgjodhi të mos komentojë. Nga ana tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se “për 4-5 vota ende mungojnë numrat për formimin e Qeverisë së re”.

Edhe përfaqësues të ish-opozitës kanë shprehur skepticizëm se një “Qeveri Kurti 3” do të jetë e vështirë të formohet në këtë fazë.

Nëse do të ketë një epilog pozitiv për krijimin e ekzekutivit të ri, kjo do të mësohet gjatë orëve në vijim, pas zhvillimit të seancës së sotme në Kuvend.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë në rrugën Prishtinë-Podujevë, 2 persona lëndohen rëndë