Kushti i fundit: Coca-Cola ia merr bizneseve frigoriferët nëse ato nuk janë të prodhuara në Serbi
Bizneset kosovare janë ankuar se Coca-Cola po iu bënë një presion të jashtëzakonshëm të gjithë atyre që kanë frigorifer nga kjo kompani dhe nuk marrin produktin e tyre të prodhuar në Serbi.
Një gjë të tillë për Gazetën “Enigma” e ka konfirmuar nismëtari i fushatës “Mos bli produkte serbe, Besa – Besë” për bojkotimin e produkteve serbe, Burim Piraj.
Tutje ai ka shtuar se kjo kompani nuk po pranon që në ata frigorifer të vendosen Coca-Cola të prodhuara nga ndonjë vend tjetër si për shembull nga Shqipëria, Maqedonia, Hungaria e shumë vende të tjera.
“Ne kemi një dukuri jo të mirë të Coca-Cola e cila po iu bënë presion kompanive të cilat kanë frigorifer të saj që të merr produktet e Coca-Cola të prodhuara në Serbi ekskluzivisht nga Coca-Cola Company me lokacion në Serbi edhe pse ata kanë në frigorifer Coca-Cola të prodhuar në regjione të ndryshme si në Shqipëri, Maqedoni, Hungari ose në vende të tjera, prap ajo po iu bënë presion që të ndikoj në fushatën tonë”, ka deklaruar ai.
Coca-Cola për herë të parë ka probleme me shitjen e produkteve të saj
“Ne po e kuptojmë sepse për herë të parë Coca-Cola ka problem me shitjen e produkteve për arsye se me kokëfortësi po insiston ta furnizoj tregun e Kosovës me produktin e prodhuar në Serbi dhe për këtë arsye edhe ka pasur rënie në shitje shumë”, tha Piraj për “Enigmën”.
I gjithë ky refuzim nga ana tyre sipas Piraj ka ndikuar në fuqizimin e prodhuesit vendor.
“Por na gëzon lajmi që prodhuesit vendor të pijeve janë fuqizuar dhe kanë hy në treg fuqishëm”, ka shtuar ai.
Priaj tutje ka theksuar se “Coca-Cola me kokëfortësinë e saj ka humbur një pjesë të tregut të Kosovës dhe do të humb edhe shumë pasi që insiston që mos të importohet nga Shqipëria ose nga vendet tjera por vetëm ekskluzivisht nga Serbia”.
Nismëtari i fushatës “Mos bli produkte serbe, Besa – Besë” ka thënë se me Coca-cola si kompani na ka dëshpëruar pas vendimit të fundit me marrjen e frigoriferëve nga bizneset që i posedojnë.
“Heqja e frigoriferëve nuk është gjë e bukur dhe sidomos në atë mënyrë se si ata po i heqin, e njohim Coca-Cola si një kompani e cila ka një përgjegjësi të madhe sociale, por në këtë rast nuk po e shohim se ajo është kompani për të cilën ne jemi mësuar ta shohim dhe për të cilën ne kemi lexuar shumë”, ka përfunduar Piraj. /GAZETA ENIGMA/