Kush janë dy vëllezërit e dyshuar për konfliktin me armë me policin në Veri të Mitrovicës

Një zyrtar policor u përfshi mbrëmë në një konflikt ku u përdorën edhe armës, në një restorant në Veri të Mitrovicës. Polici Miodrag Janicijevic dyshohet për të shtëna me armë, pasi fillimisht dy persona gjuajtën në drejtim të tij. Lidhur me këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet, teksa të vëllezërit e dyshuar gjenden akoma në arrati.

Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy të dyshuarit që u përfshinë në këtë rast janë Luka dhe Milkan Sekulic, të cilët iu kanë shpëtuar prangave të Policisë, duke ikur nga vendi i ngjarjes. Njëri prej tyre, sipas të njëjtave burime, në momentin kritik dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur. Të armatosur, ata janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë.

Sinjalizuesi nga Veriu ka bërë me dije për Sinjalin se zyrtari policor i dyshuar në lidhje me këtë rast dyshohet se ka gjuajtur derisa ka qenë jashtë detyrës zyrtare. Sipas informatave të para, para se polici ta shkrepte armën, e që ka mundësi ta ketë përdorur në vetëmbrojtje, vëllezërit e dyshuar kanë gjuajtur fillimisht me armë gjuetie.

Ndonëse ende nuk ka të arrestuar në lidhje me të shtënat, nga IPK deklaruan për Sinjalin se veprimet tjera do të merren ne koordinim me Prokurorinë.

“Ju konfirmojmë se IPK është njoftuar për këtë rast dhe se hetuesit tanë janë në vendin e ngjarjes. Veprimet tjera do të ndërmirren në koordinim me prokurorin kompetent dhe autorizimet ligjore të IPK-së.”

02 Press do të ju mbajë të informuar në lidhje me detajet e reja.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Kurti përplaset ashpër me gazetarët serbë në Berlin