Kush është taksisti nga Vushtrria që me ndihmën e mikut të tij u vodhi pasagjerëve 2 mijë e 500 euro
02 Press sot gjatë ditës ka raportuar për një rast të grabitjes në Vushtrri, ku një taksist dyshohet se kishte vënë në kurth dy klientë të tij. Ai bashkë me shokun e tij dyshohet se kishin planifikuar gjithë ngjarjen më parë, duke arritur kështu që dy pasagjerëve që deshën të shkojnë në Mitrovicë, t’ua grabisin 2 mijë e 500 euro. Por i gjithë mundi u shkoi huq, pasi u zbuluan nga Policia me ç’rast u arrestua taksisti i cili preu në besë klientët e tij.
Burimet e Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se i dyshuari për grabitje që u arrestua pas punës hetimore të Policisë, është Fitim Imeri, 31-vjeçar.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në rrugën “Viciana” të Vushtrrisë, kur Imeri kishte kërkuar nga pasagjerët që të ndalet dhe gjoja për të marrë edhe një udhëtar tjetër. Ky udhëtar doli të jetë shoku i tij, i cili posa hyri në veturë u hodhi sprej fytyrës dy klientëve.
Pas arrestimit, Imeri është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Grabitje’.
Me vendim të prokurorit, atij i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.