Kush është biznesmeni nga Salvadori, shoku i Behgjet Pacollit që po kërkohet për krim të organizuar?
Biznesmeni Enrique Rais, shoku i deputetit Behgjet Pacolli, është subjekt i hetimit ndërkombëtar për lidhjet me grupe kriminale të organizuara, kompani fantazmë, kartele dhe politikanë të korruptuar. Për këto çështje ai kërkohet tash e sa vjet nga Interpol-i, ndësa është edhe në Listën e Zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Infobae”, mediumi nga Venezuela, më 3 korrik, ka publikuar një hulumtim për Enrique Rais.
Ky emër nuk do të përbente interes për mediat në Kosovë, nëse i njëjti nuk do të ishte i lidhur me Behgjet Pacollin, deputetin e Kuvendit, dhe ish-ministrin e Jashtëm të Republikës, shkruan Gazeta Insajderi.
Ballina e “Infobae”, më 3 korrik 2022
Por, kush është Enrique Rais?
Biznesmeni nga Salvadori është menaxher i kompanisë “Rais Group International NC, LLC”, i cili nga viti 2017 është në arrati. Tash veprimtarinë e tij e ushtron në Venezuelë.
Pavarësisht se dihet vendndodhja e tij, autoritetet ende nuk kanë arritur ta kapin Rais, i cili është subjekt i hetimit ndërkombëtar për lidhjet me grupe kriminale të organizuara, kompani fantazmë, kartele dhe politikanë të korruptuar.
Për këto çështje ai është hetuar nga autoritet amerikane dhe edhe nga zyra e Prokurorit të Salvadorit, e që tash e pesë vjet është në Listën e Kuqë të Interpol-it, si njëri nga njerëzit më të kërkuar, shkruan Gazeta Insajderi.
Kur nisi shoqëria Rais me Pacollin?
Për të dalë te gjeneza e marrëdhënies së tyre, duhet të kthehemi në kohë, në vitin 2009. Kosova e kishte shpallur pavarësinë veç një vit më herët dhe ishte e uritur për njohje ndërkombëtare.
Pacolli, atëherë një biznesmen privat, i dha vetes detyrën që t’i binte kryq e tërthor globit me një avion privat për të takuar liderë të rëndësishëm ndërkombëtarë si Koloneli libian Gadaffi dhe ministri i jashtëm i Maldiveve, Ahmed Shaheed. Qëllimi i deklaruar i tij ishte të rriste numrin e njohjeve të vendeve për pavarësinë e Kosovës.
Në kuadër të këtyre udhëtimeve, në prill të vitit 2009, Pacolli arrin në kryeqytetin e Salvadorit, San Salvador, ku e ndihmoi biznesmeni Raisi që t’i çilte dyert për në korridoret e pushtetit të këtij kombi tropikal.
Nuk dihet nëse Raisi dhe Pacolli janë takuar me njëri-tjetrin para këtij takimi, por sipas fakteve të dokumentuara, ky është takimi i parë mes të dyve.
Në vitin 2008, veç një vit para takimit të Pacollit me të, bashkëpronari i Raisit në Mides, një biznes që trajtonte mbeturinat, Jose Luis Merino, “ndihmoi një organizatë terroriste kolumbiane që të merrte armë”, sipas dokumenteve të gjykatës nga Martin County.
Raisi do t’i bashkohej Merinos në shtator të 2011-s si pjesë e një delegacioni zyrtar nga vendi amerikolatin i Hondurasit për në Kosovë, me ftesën e atëherë zëvendëskryeministrit të parë të vendit, Behgjet Pacollit.
Sipas një artikulli të botuar më 2015 nga revista salvadoriane Revista Factum dhe në faqen e internetit simotër për Krime të Organizuara dhe Projektit për Raportim të Korrupsionit, Insight on Crime, më 2010, një vit pasi u takua Pacolli me Raisin, grupi inxhinierik Mabetex në pronësi të të parit ia shiti të dytit një apartament në Hotelin Swiss Diamond në Lugano. Artikulli ishte bazuar në korrespondencën e raportuar se u dërgua nga e-maili personal i Raisit.
Më tej pretendohet që e-maili tregon se jo vetëm që Raisi e bleu apartamentin në kompleksin hotelerik luksoz – për një fraksion të çmimit të atëhershëm në Lugano – por edhe që pagoi me këste nga një varg llogarish bankare ndërkombëtare me transaksione të lidhura në mënyra që dukej se nuk kishin asgjë të bënin me pasuritë reale.
Revista Factum dhe Insight On Crime po ashtu kishin raportuar një e-mail të dërguar nga Raisi më 23 shkurt të vitit 2011 te bashkëpunëtorët e tij të biznesit:
“Shoku dhe bashkëpunëtori im Begjet Pacolli është betuar dje [22 shkurt 2011] si president i Kosovës. Kjo është ajo që e prisja dhe ne tashmë e kemi nisur kompaninë e groposjes në Tripoli dhe Libi”, kishte shkruar ai.
Nuk dihet se pse saktësisht Raisi po priste që Pacolli të bëhej president apo cila ishte lidhja për Tripoli/Lipi. Sidoqoftë, zgjedhja e Pacollit u shpall jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës vetëm një muaj më pas, më 30 mars 2011.
I detyruar të dorëhiqet, ish-persidenti menjëherë u bë zëvendëskryeministër në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në atë pozitë, më vonë gjatë atij viti, ai kishte propozuar Raisin si konsull nderi të Kosovës në Honduras, në një listë me pesë të tjerë ngjashëm të propozuar për vende të tjera, shkruan Gazeta Insajderi.
Një dekadë më pas, miqësia e Rais më Pacollin është vënë sërish në pah.
Sipas raportimit dhe pretendimeve të “Infobae”, Pacolli dhe Rais “kanë kryer transaksione të hetuara si pastrim i mundshëm i miliona dollarëve”.
Në shkrimin e publikuar nga Pacolli poashtu përmendet “si i përfshirë në një skandal të pretenduar korrupsioni”, duke iu referuar parregullsive të publikuara nga OCCRP-ja në dhënien e tenderit për ndërtimin e aeroportin e Vlorës në Shqipëri.
“Më 21 qershor 2022, Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) publikoi një raport të gjatë mbi parregullsitë e supozuara në dhënien e ndërtimit të një aeroporti në Shqipëri një kompanie të udhëhequr nga Behgjet Pacolli, një biznesmen dhe politikan kosovar i lidhur me kryeministrin e Shqipërisë dhe, sipas raportit, ‘dyshohet për lidhje me figura të krimit të organizuar’, ndër të cilët OCCRP rendit salvadoranin Enrique Rais”, thuhet në tekstin e “Infobae”.
E në vetë raportin e OCCPR-së për këtë thuhet: “Dokumentet e tenderit që ka parë OCCRP-ja tregojnë se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (e Shqipërisë v.j.) një vit pas publikimit të kritereve, befas ndryshoi kriteret për kërkesën e saj vetëm katër ditë përpara afatit përfundimtar të pranimit të kërkesave, pra dhjetorit 2020. Ndryshimet reduktuan përvojën e kërkuar dhe ekspertizën teknike të nevojshme, duke i mundësuar konsorciumit turko-kosovar që të kualifikohet dhe të fitojë”. Kompania e Pacollit ka fituar tenderin për ndërtimin e aeroportit të Vlorës në marsin e vitit 2021.
Për këtë raportim të mediumit “Infobae” ka reaguar edhe vetë kreu i AKR-së, duke thënë se raportimet po i duken si “film”, derisa ka pretenduar se janë shkrime të “sponsorizuara”. Madje Pacolli në reagimin e tij ka thënë se Rais nuk është siç e përshkruajnë, duke ia dhënë kështu meritat për njohjen e Kosovës për Salvadori dhe Hondaurasi.
“Enrike Reis nuk është si e përshkruajnë. Ai jeton në Zvicër dhe për herë të parë e kam takuar gjatë vizitës sime në Salvador kur isha për njohjen e Kosovës me mikun tim, ambasadorin William Walker. Ai është meritor në kontributin që ka dhënë për njohjen e Kosovës nga Salvadori e Hondurasi”, ka shkruar Pacolli.
Reagimi i Behgjet Pacollit për lidhjet e tij me Enrique Rais
Për lidhjet e tij me Rais, tash deputeti i Kuvendit, kishte folur edhe në vitin 2019, në rolin e shefit të diplomacisë së Kosovës, gjatë një raportimi në Komisionin për Punë të Jashtme.
Gjatë këtij raportimi, Pacolli kishte treguar se Rais kishte blerë një apartament në hotelin e Pacollit në Zvicër, dhe gjithashtu kishte pohuar në Komision se vetë ia kishte shfrytëzuar Raisit një aeroplan privat.
“Unë e kam shfrytëzu një aeroplan privat të tij nja 6 muaj e ma tepër. Z. Rais është e vërtetë që ka ble një apartament në hotelin tim, ka ble një apartman 2 milionë e 600 mijë euro. Edhe sot e ka”, kishte thënë Pacolli në vitin 2019, kur për këtë çështje ishte pyetur nga atëherë anëtari i komisionit, Glauk Konjufca.
Enrique Rais, përpos që gjendet në listën e më të kërkuarve nga Interpol-i, ai gjendet edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës meqë cilësohet si person i angazhuar në korrupsion të konsiderueshëm dhe që ka minuar proceset apo institucionet demokratike duke korruptuar zyrtarë publikë.