Kurti: Sonte ndezëm një qiri të vogël për një shpirt të madh

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar kanë ndezur qirinj në nderim të policit të Kosovës, Afrim Bunjaku i cili u vra në Banjskë të Zveçanit nga grupi terrorist.

Në një postim në llogarinë e tij në platformën “X”, Kurti tha se sonte u ndezën qirinjtë e vogël për një shpirt të madh.

“Afrim Bunjaku u vra nga terroristët në orët e hershme të mëngjesit në krye të detyrës duke mbrojtur integritetin territorial dhe sundimin e ligjit të vendit tonë. Sonte ndezëm një qiri të vogël për një shpirt të madh ndërsa zotohemi të mbrojmë ata që kalojnë jetën e tyre duke na mbrojtur”, shkroi Kurti.

Një zyrtar policor është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, mëngjesin e së dielës.

Lexo edhe:  Rrokulliset me traktor bujku në fshatin Izbicë të Skënderajt