Kurti: Projekti gjenocidal i regjimit të Millosheviqit nuk do të ndalej pa intervenimin e NATO-s

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pa intervenimin e NATO-s në Kosovë më 1999, projekti gjenocidal i regjimit të Millosheviqit nuk do të ndalej.

Në një paraqitje për gazetaren Christiane Amanpour në CNN, Kurti tha se forcat policore dhe ushtarake të Millosheviqit e deshën Kosovën vetëm si territor, por pa popullin e saj shqiptar.

“Paraprakisht ka pasur një dyzinë masakrash kundër popullsisë civile në Kosovë ku fëmijë, gra e të moshuar janë vrarë, gra janë dhunuar, shtëpi e fshatra të tërë janë djegur dhe e gjithë kjo ka qenë përbrenda projektit gjenocidal të regjimit të Millosheviqit që Kosova të jetë pa popullin e saj, pa shqiptarë.

Pra, ata e panë vendin tonë si territor e jo si popull, dhe deshën që ata njerëz ose të vriteshin ose të dëboheshin. Dhe operacioni ‘Patkoi’ po realizohej kur NATO-ja intervenoi dhe ndaloi gjenocidin e Serbisë. Prandaj, ndalimi i gjenocidit dhe çlirimi i vendit tonë, dhe sjellja e paqes në fund, ishin një dhe e njëjta gjë që u mundësua dhe më vonë u garantua nga NATO-ja”, deklaroi kryeministri Albin Kurti në këtë intervistë.

Lexo edhe:  Lajm i hidhur për Drenicën: Ndërron jetë ish-ushtari i UÇK-së nga Skënderaj