Kurti: Nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, duhet marrëveshje me opozitën për presidentin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje të reja, duke theksuar se është e domosdoshme arritja e një marrëveshjeje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit të ri.

Këto deklarata Kurti i bëri nga ambientet e Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), ku u pyet për zhvillimet politike në vend.

Ai tha se qëndrimi i tij mbetet i njëjtë me atë që kishte shprehur edhe në konferencën për media një javë më parë.

“Unë nuk kam çfarë të shtoj nga konferenca për media që kam pasur para një jave dhe nuk besoj se është e nevojshme ta përsëris veten. Presidentja e Republikës është kreu i shtetit, ndërsa unë jam kryeministër i vendit”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, aktualisht ekziston edhe një çështje që po trajtohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ndërsa fokusi duhet të jetë në stabilitetin institucional.

“Vitin e kaluar kemi pasur katër palë zgjedhje dhe jam i bindur që nuk kemi nevojë ta përsërisim vitin 2025. Viti 2026 është një vit i ri dhe nuk është as e drejtë e as e dobishme që të kemi zgjedhje të përsëritura”, tha ai.

Kurti theksoi se zgjidhja duhet të vijë përmes bashkëpunimit politik.

“Është e domosdoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit, sepse qytetarët e republikës kanë nevojë për stabilitet institucional dhe jo për zgjedhje të përsëritura”, deklaroi kryeministri.

Ai shtoi se funksionalizimi i Kuvendit është urgjent, pasi shumë marrëveshje ndërkombëtare kanë mbetur pezull.

“Janë mbi 120 milionë euro marrëveshje të ndryshme ndërkombëtare që janë vonuar për shkak se Kuvendi nuk po funksionon”, tha Kurti.

Sipas tij, zgjedhjet e reja do të sillnin edhe kosto të konsiderueshme financiare për shtetin.

Lexo edhe:  Babai i Sokolit publikon letër të gjatë: "E vërteta e vrasjes së nuses shtatzënë dhe birit tim"

“Zgjedhjet e reja do të kushtonin së paku 10 milionë euro”, theksoi ai.

Kurti po ashtu përmendi se zgjedhjet e fundit parlamentare janë mbajtur më 28 dhjetor dhe se, sipas tij, ka pasur arsye pse ato nuk janë mbajtur më herët.

“Për bindjen time të fuqishme, zgjedhjet nuk kanë mundur të mbahen më 21 dhjetor, pasi ka ekzistuar edhe shkresa nga sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që thoshte se organizimi i tyre në atë datë ishte i pamundur”, u shpreh Kurti.