Kurti në Mitrovicë, viziton policët në Belvedere: Oficerët tanë të çeliktë, mahnitëse ruajtja e rendit dhe ligjit në komunat veriore

Kryeministri Albin Kurti ka qëndruar sot në Mitrovicë, ku ka vizituar edhe Kampin e Policisë në Belvedere.

Kurti tha se me këtë rast u njoftua me operacionet dhe aktivitetet e policisë, dhe oficerëve të saj të cilët ai i quajti të çeliktë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Pasditen e kalova sot në Mitrovicë. Nga palestra “Minatori” e demonstrimit të vajzës sonë të artë në xhudo, Majlinda Kelmendi, te oficerët tanë të çeliktë në Kampin e Policisë në Belvedere.  U njoftova për aksionet e operacionet, aktivitetet e të arriturat e Policisë së Kosovës. Sukseset e tyre për rend, ligj dhe kushtetutshmëri në katër komunat tona në veri të vendit janë mahnitëse”, ka shkruar kryeministri në Facebook.

Ai tha se do të vazhdojë t’i mbështesë në zbatim të operacioneve të tyre në mbrojtje të rendit dhe ligjit.

“Motivimi e morali i tyre janë të lartë kurse profesionalizmi dhe disiplina e pashoq. Mbështetja e jonë për ta është e garantuar.  Bashkë me Ministrin e Brendshëm Sveçla, Drejtorin e Policisë, Hoxha, dhe gjithë të tjerët në fund shijuam shujtat e ngrohta në mensën e re të Kampit”, ka shkruar shefi i ekzekutitiv.

Lexo edhe:  Bie në pranga 37-vjeçari në Prishtinë, dyshohet se vodhi konserva me peshk tuna në vlerë të rreth 180 eurove