Kurti e emëron këshilltar të jashtëm serbin Petar Miletiq

Kryeministri Albin Kurti e ka emëruar këshilltar të jashtëm politik ish-deputetin e Partisë Liberale serbe, Petar Miletiq.

Sipas vendimit të cilin e ka publikuar portali Demokracia.com, detyrat dhe përgjegjësit e Miletiqit thuhet se janë të përcaktuara me Rregulloren e QRK-së për fushat e përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive.

Në pikën e tretë të vendimit, thuhet se marrëdhënia e punësimit të këshilltarit të jashtëm politik përfundon me mbarimin e mandatit të kryeministrit, nëse ky emërim nuk ndërpritet më herët.

Petar Miletiq në vitin 2012 ka qenë nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga partia serbe SLS.

Po në vitin 2012, Miletiq e kishte dënuar aksionin e Lëvizjes Vetëvendosje në pikat kufitare në Merdar dhe të Dheu i Bardhë.

Në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, Miletiq pati thënë se zhvillimi i mëtejshëm i situatës varet nga Vetëvendosje, partia e Albin Kurtit që sot e bëri këshilltar, të cilën e akuzonte se gjatë vitit 2011 në Kuvendin e Kosovës i ka shkuar përdore të “imponojë një atmosferë antiserbe” për ç’arsye mes tjerash nuk janë nxjerrë ligje të rëndësishme për komunitetin serb.

Lexo edhe:  Burri keqtrajton bashkëshorten në Prishtinë pasi u kapën për para