Kur do të kompensohen qytetarët që iu faturua rryma e shpenzuar në veri për 18 vjet

Për 18 vjet me radhë, rrymën që kanë shpenzuar qytetarët në pjesën veriore të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – e kanë paguar qytetarët e pjesëve të tjera të vendit. Organet e drejtësisë kanë konfirmuar këtë muaj se qytetarët që kanë paguar më shtrenjtë për shkak të veriut, duhet të kompensohen, por si e kur, nuk është e qartë.

Mbi 63 milionë euro është vlera e rrymës së shpenzuar gjatë vitit 2022 në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zvecan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Në vitin 2021, kjo vlerë ka qenë rreth 42 milionë euro. Nga një kalkulim i Institutit GAP rezulton se në periudhën 2010-2020, qytetarët në veri kanë shpenzuar mbi 132 milionë euro energji elektrike.

Shpenzimet janë paguar deri në vitin 2017 nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës e pastaj nga KOSTT dhe Qeveria e Kosovës.

Por, si ka ardhur deri te kjo?

Refuzimi për të paguar rrymën ka ardhur si pasojë e mosbindjes qytetare por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme në veri, që kanë operuar nën dirigjimin e Serbisë.

Për t’i shlyer këto borxhe, qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës, kanë paguar fatura për 3.5 përqind më të shtrenjta.

Nga viti 2017 e këndej, për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka kaluar përgjegjësinë e pagesës te institucionet e vendit. Po atë vit, Gjykata e Apelit ka kërkuar që konsumatorët që kanë paguar rrymën e shpenzuar në veri për 18 vjet, të kompensohen.

Më 18 prill, Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën e ZRRE’së që të rishshyrtohet aktgjykimi i Apelit, duke thënë se konsumatorëve duhet t’u rikthehen mjetet.

Lexo edhe:  Policia kap mbi 1 mijë e 500 pako të kontrabanduara të çajit të famshëm për dobësim

Se si dhe kur do të mund të bëhet kjo, tash për tash nuk ka asnjë informacion.

Por, ky nuk është problemi i vetëm që ka shkaktuar mosfaturimi i rrymës në veri. Zona ka kohë që është shndërruar në oazë për prodhimin e kriptovalutave edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar në Kosovë, për shkak se procesi kërkon sasi marramendëse të rrymës.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vetëm gjatë viteve 2017 dhe 2018, u importuan pajisje për prodhimin e kriptovalutave në vlerë prej 3 milionë euro.

Kryenministri Albin Kurti ka thënë se për shkak të veprimeve të Serbisë, Kosova ka humbur mbi 300 milionë euro nga faturat e rrymës dhe ujit, që serbët në veri nuk i kanë paguar nga viti 1999.

Nga viti 2013, dy vendet kanë bërë disa marrëveshje në fushën e energjisë, por gjërat s’kanë lëvizur përpara.

Sytë tani janë te një marrëveshje që Kosova dhe Serbia e kanë arritur më 27 shkurt e që parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura më herët, përfshirë ato për energjinë.