Kthehen përkohësisht temperaturat e ngrohta, ky është parashikimi për pesë ditët e ardhshme

Mot stabil ditëve të ardhshme dhe rritje e temperaturave.  Në fundjavë ndryshueshëm, priten edhe rrebeshe shiu me bubullima.

Mot më stabil dhe më i ngrohtë parashihet në dy ditët e fundit të muajit mars, me intervale me diell dhe vranësira kalimtare.

Në ditët e para të prillit, në fundjavë, parashihet ndryshim i situatës sinoptike, me zhvillime të rrebesheve të shiut me bubullima orëve të pasdites të ditës së shtunë, si dhe ditën e diel.  Fillimi i javës së ardhshme sërish sjell përkeqësim të motit me rënie të temperaturave, me të reshura shiu kohëpaskohe ditën e hënë, e lokalisht edhe mjaft intensive.  Deri në mbrëmje, nëse temperaturat pësojnë rënie të theksuar, shiu mund të shndërrohet në reshje bore.

Indeksi i cilësisë së ajrit do të jetë kryesisht në vlera të pranueshme dhe të mira, e vetëm orëve të mbrëmjes mund të ketë rritje të koncentrimeve të ndotësve ajror, që çojnë indeksin shkurtimisht në vlera të dobëta.

30.03 – Intervale me diell dhe vranësira kalimtare.

31.03 – Më ngrohtë.  Intervale më të gjata me diell paradite, e më vonë pasdite vranësirat shtohen, me mundësi për riga lokale shiu në mbrëmje.

1.04 – Mbetet ngrohtë, me vranësira të ndryshueshme e diell.  Pasdite dhe në mbrëmje priten edhe zhvillime të rrebesheve të shiut me bubullima.

2.04 – Vranësira të ndryshueshme.  Pasdite dhe në mbrëmje me reshje lokale shiu.

3.04 – Më ftohtë, kryesisht vranët dhe me shi kohëpaskohe, që vende-vende edhe mund të jenë më intensive.

Temperaturat shënojnë rritje deri në 17C e 18C, ato maksimale,  ditën e premte.  Mbesin të larta deri ditën e diel, e të hënën zbresin në 7C.  Minimalet nga vlera negative, shënojnë rritje në 4C e 7C.

Lexo edhe:  Policia jep detaje si u vra polici i Kosovës në veri

Do të fryjë erë mesatarisht e fuqishme dhe fuqishme nga jugperëndimi 5-15m/s, e të hënën ndryshon drejtimin në veriore.

Shtypja atmosferike me tendencë të rënies nën vlera normale ditëve të fundjavës.