Kryetari i ri i Zveçanit synon të betohet në Kullën e Isë Boletinit

Ilir Peci, kryetar i sapozgjedhur i Komunës së Zveçanit, synon që betimin si kryetar i komunës ta bëjë në Kullën e heroit kombëtar, Isë Boletini, në fshatin Boletin të kësaj komune. Ai pritet të betohet të enjten në ceremoninë që pritet të nisë në orën 10.

Në të njëjtën orë, do të betohet edhe Izmir Zeqiri në fshatin Qabër të Zubin-Potokut.

E tri orë më vonë, Lulzim Hetemi, kryetar i sapozgjedhur i Leposaviqit, synon të kryejë betimin në një zyrë lokale në Bistricë.

Më 23 prill, në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale. Sipas KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq. Partia Demokratike e Kosovës fitoi në Zveçan dhe Zubin Potok.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë nuk mori pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin zgjedhor.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

 

Lexo edhe:  Çadraku: Tahir Zemaj ia mori ushtarët Ramushit dhe e la vetëm, tash i thonë hero