Kryeministri Kurti: Ushtria e Kosovës po dëshmon ndërveprim të shkëlqyer me ushtritë e NATO-s në “Defender Europe 25”

Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar lart përfshirjen dhe angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtrimin shumëkombësh Defender Europe 25, duke theksuar se ushtria e Kosovës po dëshmon çdo ditë aftësi të larta ndërvepruese me ushtritë e vendeve anëtare të NATO-s.

Gjatë një vizite në terren, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Kurti vizitoi komandën e Divizionit të 28-të të këmbësorisë së ushtrisë amerikane, e cila udhëheq brigadat shumëkombëshe në Europën Juglindore.

Në vazhdim, delegacioni vizitoi Devën, ku u pritën nga pjesëtarët e një batalioni shumëkombësh të drejtuar nga Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë së FSK-së, si dhe inspektuan poligonin për qitje me armë të lehta – një donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Ushtrinë e Kosovës.

Kurti theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve të vazhdueshme në infrastrukturën ushtarake, duke përmendur projektet që janë duke u realizuar në zonën kryesore të trajnimit në Babaj të Bokës.

“Pjesëmarrja jonë në ‘Defender Europe 25’ është dëshmi e qartë e gatishmërisë dhe profesionalizmit të ushtrisë sonë, si dhe e partneritetit tonë të fuqishëm me aleatët strategjikë,” tha Kurti.

Lexo edhe:  Arrestohet tre persona, penguan zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës