“Kryeministër, mos ofendo varret”, fëmijët e dëshmorëve të UÇK-së kërkojnë dorëheqjen e Kurtit pas deklaratave për Ivanoviqin
Fëmijët e dëshmorëve të UÇK-së, kanë nisur protestuar sot kundër deklaratave të kryeministrit Albin Kurti për politikanin e ndjerë serb, Oliver Ivanoviq.
Me moton “Kryeministër, mos na shkel në gjak! Stop devijimit të historisë”, një numër i konsiderueshëm i tyre janë mbledhur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Ata vazhdimisht po brohorasin “ne nuk harrojmë, ne nuk falim”.
Protestuesit po mbajnë në duar edhe pankarta me mbishkrimet “Historia nuk ndryshohet”, “Kryeministër mos na provoko” etj.
Berat Beqiri, djali i një dëshmori dhe organizatori i kësaj proteste tha se e kanë thirr këtë protestë për të shprehur zemërimin tonë të thellë ndaj përpjekjeve të përsëritura të përfaqësuesve politik për të shtrembëruar historinë tonë.
“Të gjithë ne jemi dëshmitarë që 23 vite pas luftës, në emër të popullit janë bërë dhe po bëhen veprime destruktive”, tha Beqiri.
Ai shtoi se fjalët që Kurti i tha për Ivanoviqin ishin shigjeta mbi plagët tona. “Ishte tronditje e radhës dhe fyrje e rëndë publike për të gjithë ne”, tha Beqiri.
Fëmijët e dëshmorëve të UÇK-së, kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Kurti.
“Albin dorëhiqu ose kërko falje”, tha Beqiri.
Në protestë janë parë edhe deputetet e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra dhe Floretë Zjenullahu.