Krisi arma në ortopedi, shtohet siguria te Andi Pajaziti i dyshuar për vrasjen në Bon Vivant
Një krismë arme që u dëgjua në orët e para të së hënës, mobilizoi policët e gardianët në Klinikën Ortopedike të QKUK-së.
Nuk është e sigurt se kjo qitje kishte të bënte me të, por niveli i sigurisë u ngrit për shkak që këtu po mjekohet Andi Pajaziti, i dyshuari që u plagos në përleshjen me armë të premtën në Prishtinë, njofton Klan Kosova.
Disa prej pacientëve e familjarëve të cilët gjatë natës ishin në klinikën e Ortopedisë i thanë Klanit se gjatë natës kanë dëgjuar të shtëna jo shumë larg objektit. Sipas tyre në atë moment janë mobilizuar gardianët, derisa s’është lejuar edhe dalja jashtë ndërtesës.
Avokati i të dyshuarit, Fanol Krasniqi, tha se klienti i tij i ka treguar se ka dëgjuar një krismë arme, por që s’ka mundur të përcaktojë perimetrin e gjuajtjes.
Nga Policia mohuan rastin. Në Klinikë thonë se arma s’u shkrep brenda oborrit të tyre.