Kreu vjedhje para 1 jave në Obiliq, ky është 23-vjeçari që ra në prangat e Policisë

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese. Bizneset e ndryshme shumë shpesh janë cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje.

Për një rast të tillë që ka ndodhur para rreth një jave në Obiliq, Policia ka arrestuar dy persona. Njëri dyshohet se ka kryer vjedhjen, teksa tjetri ka pranuar gjësendet e vjedhura.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari se ka vjedhur një mjet pune në vlerë të mijëra eurove është Egzon Halili, 23-vjeçar.

Sinjali mëson se 23-vjeçari kishte kryer vjedhjen më 12 dhjetor dhe pas denoncimit të rastit në Polici, i njëjti është identifikuar dhe prangosur.

Pasi arrestimit, dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë.

Me të përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor për Halilin, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Aeroplani u afrohet shumë afër shtëpive në Lipjan, njërës ia heqë tjegullat nga vendi