Krejt çka ndodhi dje në vrasjen në Fushë Krujë që tronditi Shqipërinë

Mbarë opinioni publik është tronditur nga masakra që la të vdekur tre të rinj dje më 17 korrik në mbikalimin e Fushë-Krujës.

Brilant Martinaj, Dilen Vata dhe Arbër Hoxha u ekzekutuan në makinën e tyre nga katër persona të panjohur.

Ndaj tyre u qëllua me breshëri plumbash. Sipas informacioneve autorët zbrazën rreth 50 plumba mbi makinën që ndodheshin viktimat.

Autorët janë larguar në drejtim të paditur ndërsa makina që dyshohet se është përdorur për të kryer krimin, u gjet e djegur pak kilometra larg vendit të ngjarjes, në fshatin Larushk.

Brenda makinë u gjetën 3 armë, ndërsa në vendin e ngjarjes u gjetën rreth 80 gëzhoja.

FNSH vijon krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve.

Autorët i kanë vëzhguar 3 të rinjtë.

Vendi i fundit ku është pikasur makina e 3 viktimave ishte aeroporti i Rinasit. Prej aty dyshohet se ka nisur edhe ndjekja e tyre. Autorët, të cilët janë 4 sipas policisë, i kanë mbajtur nën vëzhgim dhe i kanë zënë pritë në mbikalimin e Fushë-Krujës.

Vendi ku ndodhi ekzekutimi i të rinjve nuk ka kamera sigurie.

Tre nga autorët që lëviznin me një makinë “Volswagen Passat” kanë zbritur dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të tyre. Janë rreth 80 gëzhoja të gjetura në vendin e ngjarjes.

Policia gjeti në fshatin Larushkë një makinë të djegur e cila dyshohet se i përket autorë. Brenda makinës u gjetën edhe 3 armë të cilat janë përdorur për të ekzekutuar Martinaj, Hoxhën dhe Vatën.

Makina e viktimave, sipas burimeve të grupit hetimor ka marrë flakë nga breshëria e plumbave.

Si pasojë Martinaj dhe Hoxha u shkrumbuan brenda mjetit, ndërsa Vata kishte tentuar të largohej, por autorët e kthyen dhe e qëlluan duke e lënë të vdekur jashtë makinës.

Lexo edhe:  Sulmohet polici dhe djali i tij gjatë një ndeshje futbolli në Prishtinë

Policia dhe RENEA kanë blinduar Larushkën dhe Niklën për të bërë të mundur kapjen e autorëve.

Kush janë viktimat

Tre të rinjtë që mbetën viktimë e atentatit të sotëm në Fushë-Krujë ishin me precedent penal në fushën e krimeve ndaj personit, mëson abcnews.

Brilant Martinaj, 23-vjeçar, banues në Fushë-Kuqe ishte me precedent kriminal, i dyshuar për veprën penale “vrasja e kryer në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje.”

Kujtojmë që Brilant Martinaj është kushëriri i Ervis Martinajt. Ai dyshohet se ka qenë autor i vrasjes së efektivit të FNSH, Xhuliano Prela ngjarje e ndodhur në 2020.

Martinaj ka qenë edhe mik i ngushtë me reperin e njohur, Stresi. Gjithçka konfirmohet nga një video, ku djemtë shfaqen në një berberhane, shumë të qeshur së bashku.

Diklen Vata, 30-vjeçar njihej si person me precedent penal, kishte lidhje të afërt shoqërore me Brilant Martinaj dhe pjesëtar i grupit kriminal të Ervis Martinajt.

Arbër Hoxha, 34-vjeçar, nga Fushë-Kuqe kishte lidhje të afërta shoqërore me Brilant Martinaj.

Ky i fundit dyshohet si autor i ekzekutimi të efektivit të FNSH-së Xhuliano Prela në dhjetor 2020 dhe ish-policit Xhelal Reçi më 1 nëntor 2021.

Asnjë nga krimet nuk është provuar.

Ndërsa Diklen Vata është kapur në shtator të 2017-ës me kokainë në Tiranë.