Krasniqi reagon për sulmin ndaj tij: KFOR-i aspak profesional në menaxhimin e bandave në veri

Gjatë ditës së sotme protestuesit serb e kanë sulmuar me ngjyrë veturën zyrtare të ministrit të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi i cili kishte shkuar për vizitë te kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Krasniqi ka thënë se sot “bandat kriminale” e kanë pamundësuar takimin e Kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, me drejtorët e rinj të sapoemëruar.

Ai këtë e ka thënë përmes një postimi në Facebook ku ka pasur edhe kritika për KFOR-n në menaxhimin e situatës.

“Në anën tjetër, menaxhimi i këtyre bandave ishte me shumë lëshime dhe aspak profesional nga ana e KFOR-it”-ka thënë ai.

Postimi i plotë:

Sot, nga bandat kriminale u pamundësua takimi i Kryetarit të Komunës së Leposaviqit Lulzim Hetemi me drejtorët e rinj të sapoemëruar. Në anën tjetër, menaxhimi i këtyre bandave ishte me shumë lëshime dhe aspak profesional nga ana e KFOR-it.

Është e paligjshme dhe e papranueshme të barazohen përfaqësuesit legjitim e legal me personat me maska. Por, për dhunën e sotme adresa është evidente dhe e qartë. Personat që sot në mënyrë aktive kanë udhëhequr dhe organizuar këto grupe kriminale janë: Ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit Zoran Todiq, ish-deputeti Slavko Simiq dhe ish-polici Filipoviq.

Prokuroria duhet të merret me urgjencë me këta përgjegjës dhe banda kriminale prapa tyre për sulmin dhe dhunën ndaj gazetarëve dhe dëmtimin e pasurisë publike.

Lexo edhe:  Djali i pronarit të “Gutu Taxi” kapet me dy thika derisa po punonte si shofer