Krasniqi: Policët e Kosovës nuk janë thesar i asnjë partie politike, por janë thesar më i çmuar i tërë Kosovës

Në një deklarim në Kuvend, Krasniqi ka thënë se shteti e ka për obligim që t’iu ofrojë paga meritore Policisë së Kosovës.

“Mendoj se ditët e fundit e kanë hequr çdo dilemë që dikush mund ta ketë pasur. Andaj nënvlerësimi i kontributit të tyre duhet t’i vije fundi. Ne e kemi ditur, mirëpo mendoj se edhe ju e patë se çfarë Policie profesionale dhe vetëmohuese kemi. I patë djemtë dhe vajzat më të mira të shtetit që triumfuan përballë terr****** dhe agresionit të shtetit serb”, ka thënë Krasniqi.“Andaj, ka ardhë koha që përfundimisht të reflektoni, sepse shteti e ka për obligim që t’iu ofrojë paga meritore, atyre që janë të gatshëm për t’u sakrifikuar për të garantuar sigurinë e vendit, siç ishte edhe rasti i fundit me rreshterin hero nga Vushtrria, Afrim Bunjaku.

Ky është minimumi që duhet të bëhet dhe duhet tu paguhet edhe niveli i rrezikshmërisë së tyre, pagesë kjo e cila padrejtësisht u është hequr tash e sa muaj”.

“Kjo qasje shtypëse ndaj atyre që i përgjigjen të gjitha nevojave të vendit, duhet të marrë fund. Duhet të marrë fund, sepse nuk mund të nëpërkëmbet e drejta dhe vullneti i tyre, këtë nuk do ta lejojmë. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, edhe në ditët e fundit na zbardhën fytyrën para krejt botës dhe treguan vlerën e vërtetë të tyre. E shpëtuan atdheun nga rreziku dhe treguan profesionalizëm, sinqeritet dhe respekt jo vetëm për popullin në rrezik, por edhe ndaj armikut terrorist, që pas vetës kishte aparatin e tërë shtetëror serb me të gjitha furnizimet dhe logjistik”.

Lexo edhe:  Huduti pytet se a duhet edhe gruaja të ketë më shumë se një burrë - Ja si përgjigjet ajo!