Kosovari e mbush kokën alkool dhe i sulmon prindërit në shtëpi
Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Një rast i tillë është raportuar mbrëmë në rrugën “Nagip Cacaj” të Deçanit, ku një djalë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj prindërve të tij.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari, E. Lokaj, rreth 39-vjeçar, ka shkuar në shtëpi në gjendje të dehur, ku fillimisht është fjalosur me prindërit e tij, A.L. dhe Sh.L., e më pas ka ushtruar dhunë fizike ndaj tyre.
Policia ka ndërhyrë, ka arrestuar të dyshuarin dhe gjatë matjes me alkooltest ka rezultuar se ai kishte 0.55 promil alkool në gjak. Me urdhër të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti për “Dhunë në familje”.