Kosovarët ia krisin armëve në dasma, Policia intervenoi në rreth 10 ahengje vetëm në vikend

Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme.

Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve. Vetëm vikendin që lamë pas, Sinjali mëson se Policia ka intervenuar në të paktën 10 ahengje familjare, gjithandej Kosovës.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se janë iniciuar disa raste për armëmbajtje pa leje, përdorim të armës e shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, në këto ndeja që janë organizuar në lokale, por edhe nëpër oborre të shtëpive.

Gjatë ditës së djeshme, Policia ka shkuar si “mysafir” i paftuar në fshatin Belinc të Shtimes, ku ka pasur të shtëna me armë në një aheng familjar. Njësitet policore kanë konfiskuar armën e përdorur, teksa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti, teksa fat të njëjtë ka pasur edhe një vushtrrias, i cili gjuajti me armë në ahengun që e organizoi në shtëpinë e tij, në fshatin Glavotin të Vushtrrisë. Atij iu mor arma dhe më pas përfundoi në Polici, ku dha deklaratën e tij.

Edhe në rrugën “Kristaq Cepa” në Prishtinë, Policia ka intervenuar në një aheng, pasi dikush denoncoi se një person ka gjuajtur me armë. Zyrtarët policorë kanë konfiskuar revolen e përdorur, kurse të dyshuarin e kanë shoqëruar në stacion.

Jo vetëm dje, por edhe të shtunën, Policisë i doli punë me festat ku përdoren armët.

Në fshatin Mazhiq të Mitrovicës, të shtunën, dikush ia shkrepi armës rreth 15 herë dhe për pasojë përfundoi në Polici. Njësitet përkatëse dolën në vendin e ngjarjes, ku gjetën gëzhojat, ndërsa ndaj të dyshuarit nisën hetimet.

Lexo edhe:  Ky është serbi që u arrestua në Mitrovicë, iu gjetën mbi 6 mijë fishekëve

Edhe në Kërpimeh të Podujevës, pati të shtëna me armë në një aheng të zjarrtë familjar, ku dikush gjuajti hiç më pak se 29 herë. Policia intervenoi, duke kryer bastisje, me ç’rast i dyshuari dorëzoi dy armë dhe i njëjti u shoqërua në stacion.

Një rast tjetër u raportoi edhe Në Istog, ku një person dyshohet se kishte shtënë disa herë me armë në një aheng familjar. Revolja që dyshohet se përdori është konfiskuar dhe ndaj të dyshuarit, me urdhër të prokurorit, është iniciuar rasti.

Njëjtë ndodhi edhe në dy raste të tjera në Ferizaj, ky mysafirët gjuajtën me armë në dasmat ku ishin ftuar të festojnë, por e futën veten në telashe. Policia ua konfiskoi armët dhe për pasojë përfunduan si të dyshuar në Polici.

Kujtojmë se në vazhdimësi është bërë thirrje që të festohet pa armë, por siç duket këto thirrje kanë hasur në vesh të shurdhër.