Kontrolle të shumta të Policisë, NjRSh ndalon një veturë në Prishtinë – shoferit i gjejnë kokainë

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar edhe mbrëmë pas mesnate në Prishtinë, ku Policia ka ndaluar një veturë, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se te shoferi i dyshuar, pas kontrollit, Njësia e Reagimit të Shpejtë ka gjetur një sasi të kokainës, që dyshohet se e ka pasur për konsum personal.

Pas përfundimit të kontrollit policor, droga është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.

Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tyre për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë mes trenit dhe një veture në Drenas, pamje nga vendi i ngjarjes