“Kontrabandimi” i rektores Deva, refuzohet propozimi i Universitetit “Isa Boletini” që gjykata të shpallet jokompetente në aspektin lëndor
Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të enjten, në seancën dëgjimore është refuzuar propozimi i kundërshtarit të sigurimit – Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë përfaqësuar nga Valmire Sadiku që kjo gjykate të shpallet jonkompetente në aspektin lëndor.
Kujtojmë se në krye të Universitetit, më 22 mars 2024 u zgjodh Nurtene Deva, e cila në shtator të 2022-ës, u dënua me 800 euro gjobë për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërkaq, Gjykata Themelore në Mitrovicë më 6 prill 2024 ka aprovua propozimin e paditësit Izet Zeqiri për caktimin e masës së përkohshme, duke urdhëruar Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” të pezullojë zbatimin e vendimit, me të cilin Nurtene Deva më 22 mars 2024 u zgjodh rektore.
“Sa i përket deklarimit të përfaqësueses se kundërshtarit të sigurimit lidhur me prapësimin procedural të kompetencës lëndore, në mbështetje të nenit 19 të LPK-së, i cili përcakton se: secila gjykate gjatë gjithë procedurës së shkallës së parë sipas detyrës zyrtare kujdeset për kompetencën e vetë lëndore, bie këtë aktvendim: refuzohet prapësimi i përfaqësueses së kundërshtarit të sigurimit që gjykata të shpallet inkompetente në aspektin lëndor për shqyrtimin e kësaj çështje juridike civile”, tha gjykatësja Erolinda Uka.
Fillimisht, gjykatësja Uka i sqaroi propozuesit të sigurimit, Izet Zeqirit se seanca e sotme është seancë dëgjimore për caktimin e masës së sigurimit, ndërsa për padi do të mbahet seancë tjetër, dhe se ai duhet të deklarohet në aspektin si i cenohen të drejtat subjektive, e jo si është dëmtuar imazhi i Universitetit.
Në fjalën hyrëse, Zeqiri tha se është shkelur Ligji Mbi Arsimin e Lartë, Statuti i Universitetit, rregullorja e punës së Këshillit Drejtues, dhe konkursi.
Zeqiri tha se ekziston rreziku që rektorja të ndërmarrë vendime që e cenojnë imazhin e Universitetit, ndërsa ai është diskriminuar pasi i ka plotësuar kriteret e konkursit ndërsa është zgjedhur dikush që i ka shkelur kriteret.
Ndërkaq, përfaqësuesja e autorizuar e UIBM-së, Valmire Sadiku deklaroi se qëndrojnë pranë kundershtimit të paraqitur për caktimin e masës së sigurimit për pezullimin e vendimit të datës 22 mars 2024.
Sadiku tha se e kundërshtojnë caktimin e masës se sigurimit për shkak te shkeljeve thelbësore të dispozitave të LPK-së.
Sipas saj, në rast të mos emërimit të rektorit në Universitet do të bllokoheshin procese mësimore, udhëheqëse dhe procese të tjera që rrjedhin direkt nga ajo pozitë për faktin se është pozitë me mandat dhe se propozuesit të masës së sigurimit nuk i shkaktohet asnjë dëm dhe nuk i cënohet asnjë e drejtë subjektive e garantuar me ligj.
Tutje, Sadiku i propozoi gjykatës anulimin e masës së sigurimit për pezullimin e vendimit në fjalë, me arsyetimin se lënia e kësaj mase në fuqi do ta bllokoj udhëheqjen ekzekutive të një institucioni me rëndësi vitale për arsimin e lartë në Kosovë.
Më pas, seanca ka vazhduar me administrimin e provave, ku propozuesi i sigurimit, Izet Zeqiri e kundërshtoi vendimet e datës 18 dhe 22 mars 2024.
Në fjalën përfundimtare, propozuesi i sigurimit Izet Zeqiri e kundërshtoi fjalën hyrëse nga përfaqësuesja e kundërshtarit të sigurimit, UIBM-së, me arsyetimin se deklaratat e tyre nuk kanë asnjë dëshmi dhe provë.
Po ashtu, Zeqiri propozoi që vendimi i gjykatës për pezullimin e përzgjedhjes së ushtrues i detyrës së rektorit të mbetet në fuqi.
“Ne jemi në Kosovë dhe e dimë që janë ato hakmarrjet akademike”, tha Zeqiri.
I pyetur nga gjykatësja Uka se cilat janë ato hakmarrje akademike, ai tha se vlerëson se cenohet nga hakmarrjet akademike, dhe se qëndron pranë padisë dhe propozimit për masë të përkohshme.
Kurse, përfaqësuesja e kundërshtarit të sigurimit, tha se mbetet në tërësi pranë fjalës hyrëse duke shtuar se disa procese akademika kanë mbetur peng, e po ashtu edhe vazhdimi i kontratave të stafit akademik është proces i cili varet direkt nga aprovimi i Senatit dhe Universitetit në krye me rektoren e zgjedhur.
Ndryshe, Izet Zeqiri më 2 prill ka ushtruar padi kundër të paditurit-kundërshtarit të sigurimit Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, për anulimin e vendimit të 20 marsit 2024 të Këshillit Drejtues të UIBM, me propozim për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë, me qëllim pezullimin e zbatimit të këtij vendimi, me të cilin është zgjedhur rektore Nurtene Deva.
Tutje, në padi thuhet se paditësi/propozuesi pretendon se përzgjedhja e rektores është bërë në mënyrë të kundërligjshme.
Ndërsa, në propozim Zeqiri ka theksuar se futja e Nurtene Devës në listën e kandidatëve për rektor është e kundërligjshme, diskriminuese dhe cenim i barazisë para ligjit.
Lidhur me vendimin e gjykatës për pezullim të konkursit për rektor, më datën 8 prill 2024, Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” i është kundërpërgjigjur/ankuar gjykatës.
Përmes kundërpërgjigjes/ankesës së tyre universiteti ka kërkuar nga gjykata të shfuqizohet vendimi për pezullim të konkursi për rektor.
“…i propozojmë Gjykatës të shfuqizojë masën e sigurimit për pezullimin e zotimit të Vendimit nr.prot.589 dt.22.03.2024 ngase me caktimin e masës së sigurisë do të bllokohet udhëheqja ekzekutive e një institucioni me rëndësi vitale për arsimin e lartë në Kosovë duke qenë se Vendimi në fjalë është marrë duke u bazuar plotësisht në kompetencat e KD-se të përcaktuara me Statutin e UIBM, Rregulloren e Punës se KD, duke respektuar kërkesat e konkursit të shpallur me dt.07.02.2024, Ligjin për Arsimin e Lartë Nr. 04/L-037dhe ne përputhshmëri me Ligjin për Zyrtaret Publike Nr.08/L-197”, thuhet ndër të tjera në kundërpërgjigjen e universitetit të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.
Sipas tyre me këtë vendim Gjykata Themelore në Mitrovicë ka bërë shkelje themelore të dispozitave të LPK-së.
Ndryshe, lidhur me shkeljet ligjore gjatë këtij konkursi kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”. Më 15 mars, Këshilli Drejtues e kishte mbajtur mbledhjen në të cilën kryetarja e Komisionit Profesional të Senatit, Mimoza Aliu, e shtjelloi raportin vlerësues të Senatit rreth dokumentacioneve të pranuara nga katër kandidatët për rektor, në mesin e tyre ishte Nurtene Deva e cila nuk i plotësonte kriteret për të vazhduar garën, por pavarësisht nga kjo tre anëtarët e Këshillit Drejtues nga radhët e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, kryesuesja Albana Rexha, zëvendëskryesuesi, Avni Islami dhe anëtari Ylber Januzaj, votuar pro thirrjes se Devës për intervistim. Pro thirrjes së saj, votoi edhe anëtari i brendshëm Valdet Gjinovci.
Më 22 mars u mbajt intervistimi i tre kandidatëve, Izet Zeqiri, Naser Pajaziti dhe Nurtene Deva. Dy orë para fillimit të intervistimi dha dorëheqje Ejup Fejza, me arsyetimin se konkursi ka parregullsi.