Konflikti për borxh mes familjeve Ejupi dhe Qeriqi në Lipjan, ndalohet për 48 orë njëri nga të dyshuarit

Mbrëmë u raportua për një incident që ka ndodhur në fshatin Llugë të Lipjanit, ku dy vëllezërit Nexhmedin dhe Rrahim Ejupi, dyshohet se kanë sulmuar me thika dy vëllezërit Qeriqi. E gjithë kjo dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një borxhi.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas veprimeve hetimore është arritur që të dyshuarit të arrestohen dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor.

Po ashtu Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarve, ku kanë gjetur dhe sekuestruar tri armë të ftohta.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj vëllezërve Ejupi të iniciohet rasti për veprat penale ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe i dyshuari, Nexhmedin Ejupi, është dërguar në mbajtje.

Kujtojmë se si pasojë e sulmit me thikë, dy vëllezërit Qeriqi kanë marrë lëndime të rënda trupore dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital.  Njëri nga ta është hospitalizuar për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Lexo edhe:  Çka dihet deri tani nga shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq ku u lënduan 15 persona