Konflikt familjar në Obiliq, vjehrri kërcënon dhe gjuan me gurë nusen: Kom me të therë nëse m’lajmëron në Polici
Pavarësisht rasteve të tmerrshme të cilat shumë herë kanë përfunduar me fatalitet, dhuna në familjet kosovare nuk po ka të ndalur. Viktimat më të shpeshta po vazhdojnë të jenë gratë, të cilat po përjetojnë në vazhdimësi dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët, por edhe anëtarët tjerë të familjes.
Së fundi një konflikt familjar ka ndodhur edhe në një familje në Obiliq, ku vjehrri dyshohet se ka kërcënuar bashkëshorten e djalit të tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 28-vjeçarja ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se vjehrri i saj e ka gjuajtur me gurë dhe e ka ofenduar me fjalë të rënda.
Bazuar në dëshminë e saj, 53-vjeçari e ka kërcënuar se nëse e lajmëron Policinë, do ta ther me thikë. Sipas saj, e gjithë kjo ka ndodhur për shkak se vjehrri i saj çdo të premte e merr vajzën e saj, gjegjësisht mbesën, dhe del të kërkojë lëmoshë.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që 53-vjeçari të dërgohet në mbajtje dhe ndaj tij të nisin hetimet për veprën penale ‘Kanosje’.