Konflikt familjar në Drenas: 55-vjeçari kërcënon vëllain e tij pas një mosmarrëveshje, përfundon në ndalim
Konfliktet në familjet kosovare për motive shpesh edhe banale, janë raste që jo rrallëherë përfundojnë edhe në Polici.
Prindër, motra e vëllezër kërkojnë ndihmën e organeve të rendit për t’i zgjidhur problemet që lindin mes tyre dhe për pasojë eskalojnë në sharje, ofendime e kërcënime serioze, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur në një familje në fshatin Krajkovë të Drenasit, ku një person dyshohet se ka kërcënuar vëllain e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një 55-vjeçar po dyshohet se e ka kanosur vëllain e tij, pas një mosmarrëveshje dhe për pasojë viktima është detyruar të raportojë rastin në Polici.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të ndalohet dhe të hetohet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.