Kompania “ExFis” i shiste derivate kompanisë serbe që operonte pa licencë

Pika e karburantit “Nis Petrol”, e cila është e vendosur në afërsi të stacionit policor në Mitrovicën e Veriut si dhe në rrugën magjistrale e cila të dërgon për në Zveçan, që nga viti 2019 ishte duke operuar pa licencë në shitjen e derivateve.

Madje furnizimin e kësaj pike karburantesh e ka bërë kompania “ExFis” për çka edhe e njëjta kompani në bazë të një përgjigje të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për KALLXO.com, është ndëshkuar nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut.

Se çfarë masa ndëshkuese janë marrë ndaj “ExFis”, tash e 8 ditë MINT-i nuk i ka kthyer përgjigje interesimit të KALLXO.com.

As kompania “ExFis” nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KALLXO.com në lidhje me ndëshkimin e amrrë nga Inspektorati i MINT.

Përveç “ExFis” edhe kompania “Sekos” që kishte nën menaxhim pikën e derivateve është ndëshkuar.

“Bazuar në të dhënat e furnizimit, operatori ekonomik EX Fis SH.P.K i ka shitur derivate të naftës operatorit ekonomik S.T.P Sekos. Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ndaj operatorëve ekonomik Ex Fis shpk dhe S.T.P. Sekos ka ndërmarrë të gjitha masa ndëshkuese konform legjislacionit aktual në fuqi” – ka thënë në përgjigjet e tyre për KALLXO.com, MINT.

E njëjta pikë e derivateve afatin kohor për operim e ka pasur deri më 15 janar 2019 në pikën shitëse në komunë të Zveçanit.

“Pas skadimit të afatit të licencës për operim me derivate, operatori ekonomik në fjalë nuk ka bërë kërkesë për vazhdim të licencës. (deri më tani)” – thuhet tutje në përgjigjet e MINT për KALLXO.com.

“ExFis” kishte lidhur marrëveshje me “Nis Petrol” për t’ia blerë derivatet, ia vendosi edhe logot e kompanisë pa aprovimin e AKP-së.

Nën pretendimet se ka bërë marrëveshje me biznesin “Sekos” me drejtor Ratko Pavlovie, për të bërë blerjen e derivateve në pikën e karburantit në rrugën Mitrovicë e Veriut – Zveçan, kompania “ExFis” kishte tentuar të marrë në posedim hapësirën duke i vendosur llogot e tyre në këtë pikë.

Lexo edhe:  Ky është pensioni më i ulët që mund të merrni në Gjermani

Por ndonëse kishte bërë fillimisht kërkesë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, “ExFis” nuk kishte pritur përgjigje zyrtare nëse i lejohet apo jo që të bëjnë regjistrimin e nevojshëm të derivateve dhe verifikimit të llogaritjes së pranuar nga kompania.

Në dosjen të cilën KALLXO.com ka marrë qasje, përfshihen tri kërkesa të “ExFis” të cilat janë pranuar në AKP më 22.07.2024.

Në tri kërkesat të cilat janë dërguar nga ana e Lum Muharremit, drejtorit menaxhues të “ExFis” është kërkuar trajtimi me urgjencë.

“Ju lutemi që ta trajtoni me urgjencë kërkesën tonë dhe do të ishim shumë mirënjohës nëse kemi një përgjigje pozitive. Ne jemi të gatshëm të takohemi me ju dhe të diskutojmë termat e marrjes me qira të kësaj pike shitëse”- është paragrafi që pason në tri kërkesat e “ExFis” për AKP-në në lidhje me tri pikat shitëse në Zubin Potok e Mitrovicë e Veriut.

Në atë të cilën kishte tentuar ta marrë në posedim duke i vendosur logot e më pas duke i hequr, “ExFis” thotë se kishte bërë një marrëveshje me biznesin që posedonte pompën e derivateve dhe ndër të tjerash në kërkesë përmendet edhe shprehja e interesit për të marrë me qira direkte atë pikë.