Komandanti i KFOR-it takohet në orët e vona me ministrin Sveçla

Komandanti i KFOR-it Angelo Michele Ristuccia, është takuar me ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla.

Takimi vjen disa orë pasi në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën që të merren vesh lidhur me çështjen e targave.

I pari i forcave paqeruajtëse në Kosovë bëri thirrje që të shmanget çdo veprim që çon në përshkallëzim të situatës.

Ai tha se palët duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe të marrin pjesë aktive në ruajtjen e sigurisë.

Michele Ristuccia theksoi se është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri, pas tensioneve në gusht.

Gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia tha se mbetet në kontakt me të gjithë faktorët relevantë duke përfshirë EULEX-in, Organizatat e Sigurisë në Kosovë, si dhe me shefin e Forcave të Armatosura të Serbisë.

Tutje në njoftim thuhet se KFOR-i mbetet vigjilent dhe vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në rezolutën 1244 të OKB-së, me të gjitha kapacitetet e tij në dispozicion, për një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit e Kosovës,

“Qëllimi i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO është paqja dhe siguria në Kosovë. KFOR-i luan një rol jetik në ofrimin e sigurisë që bën të mundur dialogun. Komandanti i KFOR-it u bën thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet apo retorika të njëanshme dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm të tensionit”, thuhet në njoftimin e KFOR-it

Lexo edhe:  Dy persona e bëjnë llom një 42-vjeçar në Gjilan, viktima dërgohet në gjendje të rëndë në spital