Koloneli amerikan: Tërheqja e papritur e trupave amerikane do të shkaktonte pasiguri në Kosovë

Shtetet e Bashkuara mbeten shtylla kryesore e stabilitetit në Kosovë dhe çdo ndryshim i papritur në pozicionimin e trupave amerikane në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR, do të krijonte pasiguri dhe rrezik për destabilizim, ka paralajmëruar koloneli amerikan në pension Ray Wojcik në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”.

Wojcik, i cili më herët ka shërbyer si udhëheqës i Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, thekson se Washingtoni është duke rishikuar pozicionimin ushtarak global, me fokus më të madh në rajonin e Paqësorit dhe në Hemisferën Perëndimore, ndërsa pret që aleatët evropianë të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë në Evropë.

Debati për një reduktim të mundshëm të pranisë amerikane në Kosovë u nxit pas raportimit të “Politico”, i cili, duke cituar diplomatë të NATO-s, bëri të ditur se SHBA-ja ka kërkuar nga NATO-ja të reduktojë aktivitetin e jashtëm, përfshirë misionin paqeruajtës në Kosovë. Aktualisht, rreth 590 trupa amerikane shërbejnë në kuadër të KFOR-it nga rreth 4600 sa janë në total. Megjithatë, një zyrtar i Pentagonit ka deklaruar për “Radio Evropa e Lirë” se nuk ka ndonjë njoftim për ndryshim të dislokimit të forcave.

Sipas Wojcik, çdo tërheqje e shpejtë ose reduktim i papritur i forcave amerikane do të ishte gabim strategjik dhe do të krijonte një periudhë të brishtë tranzicioni, të cilën aktorë destabilizues mund ta testonin.

“Çdo ndryshim i papritur në pozicionin e trupave amerikane ose të forcave të tjera aleate në KFOR do të ishte gabim dhe do të krijonte pasiguri. Duhet gjithmonë ta kemi parasysh se si duket një ndryshim radikal i dislokimit të forcave, dhe mjafton të kujtojmë tërheqjen kaotike, të orkestruar nga Amerika në Afganistan, në vitin 2021. Po ashtu, duhet të kemi parasysh se edhe në vitin 2023, paramilitarët serbë sulmuan forcat policore të Kosovës. Historikisht, nuk duhet të harrojmë kurrë se paqëndrueshmëria në Ballkan çoi në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore dhe në vdekjen e 20 milionë njerëzve në gjithë Evropën”, ka thënë ai.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit për sot dhe fillimin e javes

Koloneli amerikan thekson se plani i NATO-s ka qenë gjithmonë që reduktimi i forcave të bëhet gradualisht dhe vetëm pasi të plotësohen kushtet e sigurisë.

“Një reduktim i madh i trupave amerikane në KFOR do të ndikonte më shumë në aftësinë për të parandaluar krizat dhe për të reaguar shpejt ndaj tyre, sesa në sigurinë e përditshme. Nëse shkurtimet amerikane përfshijnë kapacitete të rëndësishme si: zbulimi dhe mbikëqyrja, aviacioni dhe evakuimi mjekësor, transporti apo personeli komandues, atëherë KFOR-i mund të jetë më i ngadalshëm në zbulimin e rreziqeve, në marrjen e vendimeve dhe në dërgimin e forcave në rast të një krize të papritur, veçanërisht në zonat e ndjeshme”, ka shtuar koloneli në pension.