“Kokën poshtë, paketoje”, kështu u trajtuan policët kufitarë që u kapën nga policia serbe

“Kokën poshtë. Në veturën e parë, paketojë, hyr në mes”, këto janë fjalët të cilat po dëgjohen në një videoincizim i publikuar nga mediat serbe pas prangosjes së tre zyrtarëve policorë kufitar në një pikë statike në vendin e quajtur ‘Tresave’.

Pamje të policëve të shtrirë në tokë, të prangosur, me fytyrë të mbuluar gjithashtu janë imazhe të tjera që janë bërë publike sot pas konfirmimit të lajmit se tre policët janë ‘kidnapunuar’.

Ani pse mediat në serbi raportuan për arrestim të këtyre policëve, Policia e Kosovës por edhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla thanë se policët kufitarë janë kidnapuar pasi janë marrë gjatë kohës sa ishin në orarin e punës ndërsa vetura ka mbetur te pika statike ku ishin vendosur.

Të armatosur deri në dhëmbë, specialët e Kurtit arrestohen”, vazhdojnë titujt e mediave serbe për ngjarjen e cila shënoi ditën e sotme.

Policët në bazë të fotografive që janë publikuar shihen me pajijset e tyre të përditshme të cilat i posedojnë për të mbikëqyrur kufirin.

“Përderisa rendi dhe ligji po zbatohet në vendin tonë, Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare”- ka thënë Ministri Sveçla në postimin e tij në Facebook.

Sipas tij zyrtarët policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta.

Serbia po vazhdon të jetë shkaktar dhe gardian i së keqes në rajon e në Kosovë. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor”- ka shtuar Sveçla.

Lexo edhe:  Përleshje mes disa personave në Prizren, i riu goditet me kondak të armës në kokë

Ministri ka thënë se kanë kërkuar nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj.

Sjellje të tilla kriminale të Serbisë nuk na ndalin në rrugëtimin tonë të forcimit të sovranitetit në vend”- ka shtuar Sveçla.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues janë siç thonë ata kidnapuar nga forcat serbe.

Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

“Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së”- ka thënë Policia e Kosovës.

Tutje në njoftim thuhet se me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion.

“Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe”- thuhet tutje në njoftim.

Policia ka njoftuar se me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës.

Lexo edhe:  Si në filma, arratiset një i burgosur nga burgu në Lipjan

“Po ashtu edhe media të ndryshme serbe kanë raportuar se pjesëtarët e njësiteve speciale serbe, kanë arrestuar zyrtarët e Policisë së Kosovës”- thuhet në njoftimin e policisë.