Kjo është serbja që spiunonte për Listën Srpska, mediat zagrebase raportuan se u arrestua me të dashurin e saj pilotin kroat
Mediumi kroat “index.hr” ka shkruar sot se autoritetet kroate kanë arrestuar një pilot kroat J.I të forcave ajrore kroate dhe të dashurën e tij A.M e nacionalitetit serb nga qyteti i Mitrovicës, nën dyshimet për spiunazh.
Gazeta Express mëson ekskluzivisht se e arrestuara A.M. është 46 vjeçarja Ana (Dragomir) Murganiq, me banim në Mitrovicën e Veriut, në rrugën “Ivo Lola Ribar”.
Sipas burimeve, Murganiq ka shoqëruar disa herë në udhëtime Miodrag Miliçeviqin, drejtorin e OJQ’së “Aktiv” dhe ish anëtarin e ekipit menaxhues për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Igor Kallamar. Kjo edhe e dëshmon lidhjen e saj me zyrtarë të lartë të Listës Srpska.
Po ashtu, merret vesh se Murganiq ka punuar edhe në EULEX dhe UNMIK. Ajo dyshohet për lidhje të afërta me shumë gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it, te cilët sipas burimeve dyshohet se mund t’i ketë shantazhuar.
Një burim i ka thënë Gazetës Express se shërbimet serbe kanë rekrutuar dhe nxitur punësimin e serbëve brenda organizatave ndërkombëtare në Kosovë, duke i shfrytëzuar për sigurim të informacioneve dhe në të njëjtën kohë për interferim në drejtesi e sidomos ndaj njerezve të UÇK-së.
Murganiq sipas burimeve ka informuar në vazhdimesi zyrtarët e Listës Srpska për zhvillimet në këto organizata.
Në operacionin për arrestimin e saj dhe pilotit kroat, sipas mediumit kroat është përfshirë edhe Europol.
Siç raporton ky medium, hetuesit dyshojnë se piloti ushtarak i jepte sekrete partneres së tij, dhe ajo ia dërgonte ato Listës Serbe.