Kjo është lista me emrat e të arrestuarve për fajde në Gjakovë, konfiskohen vetura luksoze, mijëra euro e armë

Aksionit policor të zhvilluar nga Drejtoria Rajonale e Policisë ën Gjakovë kundër fajdes që rezultoi me arrestimin e pesë personave dhe konfiskimin e veturave, armëve e sendeve të tjera me vlerë i ka paraprirë një hetim rreth njëvjeçar me aplikimin e masave të fshehta.

Operacioni i zhvilluar sot ka pasur cak një numër të caktuar të të dyshuarve të përfshirë në veprimtari kriminale. Sinjali ka mësuar ekskluzivisht identitetin e të arrestuarve që u kapën sot, gjatë bastisjeve në 10 lokacione, teksa dy persona të tjerë të përfshirë në këtë rast janë ende në arrati. (Emra të njohur për redaksinë, që nuk do të publikohen deri me rastin e arrestimit).

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin listën me emrat e pesë të arrestuarve, nga mosha 38 deri në 55-vjeç, të cilët tashmë janë ndaluar për 48 orë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Gjatë bastisjeve të zhvilluara, Policia ka arritur të gjejë dhe të konfiskojë rreth 20 automjete, numri më i madh i tyre vetura luksoze, rreth 5 armë, 10 mijë euro, e pajisje të ndryshme elektronike, që do të shfrytëzohen si prova relevante për rastin.

Përveç provave materiale, burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se tashmë është një listë e personave që kanë dëshmuar si viktima, të cilët kanë rënë pre e të dyshuarve që janë marrë me veprën penale të fajdes.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  “Kemi me ta hek kokën e vajzës”, Fjolla tregon detajet nga kërcënimet që mori