Këta janë vëllezërit pejanë që u rrahën mes vete, njëri e gjuajti me armë tjetrin – dyshohet se u kapën për para

Konfliktet mes vëllezërve në qytetet e ndryshme të vendit, shpeshherë përfundojnë me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit e madje me raste eskalojnë në kërcënime e përleshje fizike.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në Pejë, ku dy vëllezër pas një mosmarrëveshje janë përleshur, me ç’rast dyshohet se ka pasur edhe të shtëna me armë, raporton Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për dy vëllezërit Hasan (31-vjeçar) dhe Ardian Morina (25-vjeçar), të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.

Rasti dyshohet se ndodhi pasdite, kur të dyshuarit fillimisht kanë pasur një konflikt verbal mes tyre, e më pas gjithçka eskaloi.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari Hasan Morina, fillimisht ka shkuar te vendi i punës së vëllait të tij, Ardianit, të cilit i ka kërkuar të holla. Në pamundësi për t’i siguruar paratë, i dyshuari i ka marrë ato nga arka dhe aty plasi sherri, ku për pasojë të dyshuarit u kapën.

Të njëjtat burime thonë se i dyshuari Ardiani është ai që ka shkrepur armën në drejtim të vëllait, por nuk ka arritur ta qëllojë.

Si rezultat i denoncimit të rastit, dy të dyshuarit kanë përfunduar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me motivin dhe incidentin në të cilin janë përfshirë.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e dy vëllezërve Morina dhe nisjen e hetimeve ndaj tyre.

I dyshuari Ardiani do të hetohet për veprat “Lëndim i lehtë trupor”, “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”,, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Dhunë në familje”. Kurse vëllai i tij, Hasani do të hetohet për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Pejë.

Lexo edhe:  Sveçla: Njëri nga personat e vrarë në veri është trupëroja e shefit të BIA-s serbe Aleksandar Vulin