Këta janë tre të arrestuarit në operacionin kundër trafikimit të drogës

Një hetim i nisur që disa muaj nga Policia rajonale në Pejë ka rezultuar me identifikimin e disa personave që kanë qenë objekt hetimi, nën dyshimet se janë marrë me kultivimin e narkotikëve dhe shitblerjen e substancave të tilla. Në prangat e Policisë kanë rënë tre persona në Pejë, ndërsa operacioni është kryer në fshatin Drejë dhe Brekoc, ku janë konfiskuar 92 bimë kanabisi, armë e municion.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se tre të dyshuarit e përfshirë në këtë rast janë Sinan Jetishi, Hajzer Jetishi dhe Miftar Noshaj, ndaj të cilëve Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për caktimin e masës së ndalimit për 48 orë.

Gazeta Sinjali ka mësuar detaje se çka u gjet te secili prej të dyshuarve gjatë këtij operacioni

Sipas informatave të para, te Sinan Jetishi janë gjetur rreth 4 mijë euro, bimë narkotike kanabis, gjësende të ndryshme, dhjetëra fishekë, si dhe një armë e ftohtë, thikë, që më pas janë konfiskuar nga njësitet policore.

Te i dyshuari tjetër Hajzer Jetishi, gjatë bastisjes që është kryer nga Policia nuk është gjetur diçka e kundërligjshme, por nga i njëjti është sekuestruar telefoni, si provë që do të shërbejë gjatë procesit të hetimit për përfshirjen e tij në këtë rast.

Sipas burimeve, Policia nga i dyshuari Miftar Noshaj ka konfiskuar armë, telefona e kartela, mbi 1500 euro, si dhe qese me substancë të dyshuar, të llojit kokainë.

Pas përfundimit të bastisjes në lokacionet e caktuara dhe arrestimit të të dyshuarve, të njëjtit janë shoqëruar për në stacion policor, ku janë intervistuar nga hetuesit dhe me urdhër të Prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohent të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Aksion i Policisë në Zveçan, sekuestrohet armatim në një shtëpi të pabanuar