Këta janë katër zyrtarët policorë që u suspenduan pas incidentit në Veri

Policia e Kosovës sot ka suspenduar katër zyrtarë policorë, të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në incidentin e të hënës mbrëma te Ura e Bistricës afër Zveçanit, ku u plagos një banor i komunitetit serb.

Sinjali mëson se pjesëtarët e Policisë të cilët u suspenduan janë:

Samet Uka

Faton Maloku

Muhamet Muçiqi

Korab Pepaj

Kujtojmë se fillimisht, përfshirja në rast ishte mohuar nga Policia e Kosovës, por më pas, nëpërmjet një komunikate për media është bërë e ditur se pas hetimeve është konstatuar se një zyrtar policor mund të jetë përfshirë në rastin, ndërsa ka njoftuar për suspendimin e katër zyrtarëve.

Lidhur me rastin kanë reaguar edhe ndërkombëtarët.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se janë thellësisht të shqetësuar për incidentin, ka bërë thirrje që të kryhen hetime kredibile.

Po ashtu, edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dënuar incidentin.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e ka kritikuar ambasadorin Hovenier, “që ka shprehur shqetësim, dhe nuk e ka dënuar tentim-vrasjen” ndaj pjesëtarit të komunitetit serb.

Sipas kësaj partie, kjo nuk është hera e parë që “sulmet ndaj serbëve relativizohen dhe përgjegjësia e kriminelëve minimizohet”.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka dënuar më herët gjatë ditës, atë që e ka konsideruar sulm të kryer nga Policia e Kosovës.

“Ne po flasim për një burrë, i cili ka tre fëmijë, po flasim për një shofer taksie. Në atë pikë ilegale të kontrollit, Policia e Kosovës ndalon serbët çdo ditë dhe i ngacmon ata. Ne kemi thënë disa herë se ata nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në veri të Kosovës, sepse është në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet”.

Lexo edhe:  Plas sherri në Parkun e Gërmisë: 21-vjeçari sulmohet nga një person, dërgohet me urgjencë në QKUK

Komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë të banuara me shumicë serbe.

Javën e kaluar, një pjesëtari të komunitetit serb i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, i cili dyshohet se u ka vënë flakën veturave me targa RKS – Republika e Kosovës – në Zubin Potok, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.