Këta janë katër të dyshuarit për garën që përfundoi tragjikisht në Gjilan
Katër persona janë ndaluar si të dyshuar për garën e veturave që përfundoi me fatalitet në orët e hershme të 25 janarit në fshatin Miresh të Gjilanit, ku për pasojë vdiq një 28-vjeçar.
Gazeta Sinjali ka zbuluar emrat e katër të ndaluarve, të cilët dyshohen se ikën nga vendi i ngjarjes, duke mos i dhënë ndihmë personave të aksidentuar.
Ata sipas burimeve janë: Dionit Abdyli, i arrestuar sot nga Policia si dhe Bardh Abdyli, Lirigzon Mustafi, Fidan Arifi, të arrestuar ditë më parë.
Për kapjen e këtyre të fundit, ka njoftuar dje edhe Porkuroria.
Sipas Prokurorisë, F.A. dhe B.A. janë ndaluar pasi dyshohen për veprat penale “Rrezik i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme’’ dhe ‘’Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik’’, dhe L.M., për shkak të veprës penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.
“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit F.A. dhe B.A, më 25 Janar 2024, rreth orës 00:50 minuta, me automjetet e tyre, së bashku me tani të ndjerin L.R., gjatë drejtimit të automjeteve kanë zhvilluar gara, të cilat janë të ndaluara me ligj, që nga dalja e Gjilanit deri në hyrje të fshatit Dobërçan, ku edhe i ndjeri L.R., ka pësuar vetaksident dhe ka humbur jetën. Po ashtu, dyshohet se pas vetaksidentit, të dyshuarit – vozitësit F.A. dhe B.A., si dhe i dyshuari – pasagjeri L.M., nuk i kanë dhënë ndihmë tani të ndjerit L.R., duke u larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.