Këta janë dy personat që u kapën me narkotikë në Ferizaj, çka gjeti Policia në shtëpitë e tyre

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar dje edhe në Ferizaj, ku dy persona janë arrestuar pasi janë kapur me substanca narkotike, fishekë dhe mjeteve të tjera të dyshuara për veprimtari kriminale.

Gazeta Sinjali zbulon ekskluzivisht se dy personat e arrestuar janë: Vllaznim Uka, 35 vjeçar dhe Bujar Ahmeti, 34 vjeçar, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në rrjetin e shpërndarjes së drogës.

Si ndodhi rasti dhe çka gjeti Policia në pronat e të dyshuarve?

Siç merr vesh Gazeta Sinjali – ngjarja ka ndodh në fshatin Dubravë, ku njësiti i antidrogës i Policisë së Kosovës ka tentuar të ndalojë një veturë, më 15 mars.

Sipas informacioneve, shoferi, në këtë rast Vllaznim Uka, ka refuzuar të ndalet dhe është larguar me shpejtësi, duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe të policëve.

Pas ndjekjes, ai ka ndaluar makinën në një oborr dhe ka tentuar të fshihet brenda një shtëpie, por është kapur nga Policia.

Gjatë kontrollit të makinës dhe të dyshuarve, policia ka gjetur dhe sekuestruar: narkotikë, një shkop druri, një palë gërshërë dhe foli najloni, një BMW e zezë, dokumentet dhe çelësat e saj, një iPhone 13 Pro Max.

Me vendim të Prokurorit, Policia ka kryer kontrolle të mëtejshme në pronat e të dyshuarve, me datë 16 mars, mëson Gazeta Sinjali.

Tek vila e Ukës në fshatin Kashtanjevë, Policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe 50.2 gramë kokainë, një peshore digjitale për matjen e drogës dhe 26 fishekë të revoles, derisa në pronën e Ahmetit në Dubravë janë gjetur 189.7 gramë marihuanë, dy mullinj për bluarje droge dhe aksesorë për përdorim, një telefon iPhone 11, para të gatshme

Lexo edhe:  Lajçak: Ura e Ibrit duhet të hapet në koordinim me aleatët e Kosovës

Pas hetimeve të para, Prokurori ka urdhëruar ndalimin për 48 orë të të dyshuarve Vllaznim Uka dhe Bujar Ahmeti.

Rasti po trajtohet si “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbuluar detaje të tjera mbi këtë rrjet të mundshëm të shpërndarjes së drogës.