Këta janë babë e bir që rrëmbyen një 31-vjeçar në Prishtinë, pretendojnë se ua ka borxh 17 mijë euro

Gazeta Sinjali ka raportuar për një 31-vjeçar në Prishtinë i cili dyshohet se u rrëmbye nga dy persona nga komuna e Drenasit. E gjithë ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në rrugën ‘Rrustem Statovci’, ku viktima kishte takuar njërin prej të dyshuarve.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se të dyshuarit janë Daut dhe Rinor Berisha.

Dyshohet se i riu e ka marrë viktimën me veturën e tyre dhe të njëjtit i ka thënë se do pinë kafe në shtëpinë e tij në fshatin Vaslievë të Drenasit.

Bazuar në dëshminë e viktimës dhënë organeve të hetuesisë, i gjithë tmerri për të dyshohet të ketë filluar me të arritur në shtëpinë e të dyshuarve, ku babai i djalit që e mori atë me veturë, kishte bërë të gjitha përgatitjet për ta torturuar 31-vjeçarin, i cili posa u lirua, raportoi rastin në Polici dhe më pas kërkoi ndihmë mjekësore për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Sipas viktimës, e gjithë kjo dyshohet të ketë ndodhur për një borxh prej 17 mijë eurosh, për të cilin të dyshuarit pretendojnë se 31-vjeçari s’ua ka kthyer.

Njësitë policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe kanë arritur që gjatë ditës së djeshme të lokalizojnë vendndodhjen e personave të dyshuar.

Babë e bir janë shoqëruar në stacion policor, teksa Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në shtëpinë e tyre dhe kanë mbledhur provat materiale që mund të ndihmojnë në ndriçimin e plotë të rastit.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Rrëmbim’.

Lexo edhe:  E tmerrshme në Prizren: Pasagjeri del nga vetura dhe ther me thikë këmbësorin