Këta janë anëtarët e grupit që ranë në duart e Antidrogës, marihuanën e siguruan në Shqipëri dhe e fshehën në Suharekë

Katër të arrestuarit për rastin e mbi 50 kg drogë që u kapën para disa ditësh në rajonin e Prizrenit, kanë dalë para Gjykatës Themelore në Prizrenit. Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tyre, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Përveç Sali Selmanaj, për të cilin Sinjali raportoi ekskluzivisht në fundjavë, i dyshuari tjetër që përfundoi prapa grilave është Nue Karrica, emër i njohur për organet e rendit.

Ndaj të dyshuarve është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, pasi gjykata vlerësoi se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, edhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë.

Të ndaluarit për këtë rast po dyshohen se drogën e kanë siguruar në Shqipëri dhe më pas është fshehur në shtëpinë e të dyshuarit Selmanaj në fshatin Grejkoc të Suharekës.

Në shtëpinë e tij, janë gjetur dhe sekuestruar pesë paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë, një pushkë gjuetie dhe 30 fishekë, disa telefona, dy vetura, si dhe rreth 1500 euro para të gatshme.

“… në atë mënyrë që pasi substance narkotike e kishin siguruar nga Republika e Shqipërisë, të njëjtën e kishin fshehur në fsh………., Komuna e Suharekës, e pikërisht në shtëpinë e të pandehurit S.S., të njëjtën substancë narkotike i ofrojnë për shitje dy personave në pompën e derivateve “…………” në rrugën e transitit në Prizren, ashtu që derisa të pandehurit N.K., M.M., dhe N.U., me një person qëndrojnë në pompën e benzinës, i pandehuri S.S., me personin tjetër – blerësin potencial shkojnë në fsh………. në shtëpinë e të pandehurit S.S., për ta verifikuar substancën narkotike, me ç’ rast sipas urdhëresës së gjykatës themelore në Prizren, kontrollohet shtëpia e të pandehurit S:S., ku policia gjen 50 kg e 600 gram substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë.”

Gjykatës ka vlerësuar se me lënien në liri të të dyshuarve ekziston rreziku i arratisjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, pasi dy prej tyre kanë edhe të kaluar kriminale – por edhe për caktimin se mund të ndikojnë në fshehjen e provave apo te personat me të cilët kanë bashkëpunuar.

Lexo edhe:  Parlamenti i Gjermanisë merr disa vendime, nga to preken edhe mërgimtarët nga Kosova

“…kjo duke u bazuar edhe në faktin se dy (2) të pandehur rezultojnë me të kaluar kriminale me vepra penale të narkotikëve, tregojnë rrezikun se të njëjti me lënien në liri mund të përsërisin vepra të ngjashme penale, andaj në këto rrethana caktimi i paraburgimit është i bazuar në ligj dhe i arsyeshëm për të siguruar procedimin e papenguar të fazës hetimore.

“Gjykata ka ardhur në përfundim se caktim I paraburgimit është i domosdoshëm, me qëllim të mbarëvajtjes së fazës hetimore, dhe se me lënien në liri të të pandehurve në këtë fazë të procedurës penale ka arsye për të besuar se të njëjtit do të asgjësojnë, fshehin provat materiale në këtë çështje penale, duke ndikuar në fshehejn, shkatërrimin apo marrjen e provave apo të ndikojnë dhe paralajmërojnë persona të tjerë të cilët mund të kenë bashkëpunuar në shit blerjen e narkotikëve, si dhe të ndikojnë në deklarimet e njëjti – tjetrit, meqenëse të pandehurit njihen në mes vete, për çka është konstatim I Gjykatës se caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.” – thuhet tutje në përgjigjen e gjykatës për Sinjalin.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.