Këta janë 4 të arrestuarit për disa vjedhje të rënda në Skenderaj

Siguria publike në Kosovë po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet. Ky fenomen mjaft shqetësues, po shkakton pasiguri e humbje të mëdha. Hajnat, herë të vetëm e herë në grup po arrijnë të bëjnë kërdi gjithandej vendit.

Një grup prej katër personash të dyshuar për disa vjedhje të rënda në Skenderaj, janë arrestuar sot nga Policia.

Personat që u prangosën sot po dyshohen për disa raste të vjedhjeve që janë kryer nga muaji nëntor i vitit të kaluar deri në muajin mars të këtij viti.

Sinjali ka mësuar se të dyshuarit janë Arbër Gashi, Shpetim Rama, Ardian Koci dhe Adnan Xani.

Katër të dyshuarit u kapën pas bastisjeve që u kryen sot në dy lokacione të ndryshme, në fshatin Krushevc në Skenderaj dhe në fshatin Sankovc të Drenasit, me ç’rast u sekuestrua një veturë që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së veprave.

Policia tashmë ka siguruar prova që dëshmojnë përfshirjen e katër të dyshuarve në këto raste.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Lexo edhe:  Ultranacionalistët serb pro rus, shihen në pikë kalimin kufitar në Jarinje