Kërkohet një muaj paraburgim për policët që dyshohen të përfshirë në vdekjen e Agon Zejnullahut në Lipjan

Kërkohet një muaj paraburgim për policët që dyshohen të përfshirë në vdekjen e Agon Zejnullahut në Lipjan

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj pesë zyrtarëve policorë, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.

I riu ndërroi jetë të hënën, më 7 korrik, në Lipjan, gjatë ndërhyrjes policore në momentin e arrestimit të tij.

Kërkesa për masën e sigurisë është bërë nga Prokurori i Shtetit, siç ka konfirmuar për Gazetën Sinjali zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

“Mundemi me konfirmu se Prokurori i shtetit ka bërë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve. Për më shumë informacione ju njoftojmë me kohë”, tha Shala për Sinjalin.

Pak më parë reagoi edhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), ku përmes një reagimi publik, shefi i EULEX-it, Giovanni Barbano, theksoi rëndësinë e hetimit të plotë dhe transparent të këtij rasti nga autoritetet kosovare.

“Marr parasysh fillimin e menjëhershëm të hetimeve nga Inspektorati Policor i Kosovës pas vdekjes së një personi në Lipjan, presim që autoritetet kompetente të sqarojnë plotësisht dhe në mënyrë transparente rrethanat e rastit, duke respektuar plotësisht sundimin e ligjit dhe standardet e të drejtave të njeriut”, ka shkruar Barbano në platformën sociale, X.

Siç ka raportuar Sinjali, të arrestuarit janë një rreshter dhe katër zyrtarë policorë, të cilët ishin të përfshirë në ndërhyrjen e forcave të rendit gjatë incidentit.

Tutje Sinjali mësoi se të arrestuarit dhe ndaluarit janë: Ibrahim Nela – Rreshter në Stacionin Policor Lipjan – DRP Prishtinë, Artidon Konxheli – Zyrtar në SP Lipjan, Liridon Rrahmani – Zyrtar në SP Lipjan, Albian Ratkoceri – Zyrtar në SP Lipjan, Endrit Beqiri – Zyrtar në Stacionin Policor Ferizaj – DRP Ferizaj.

Lexo edhe:  Prokuroria vërteton bastisjet krye në vete të Policisë: “Nuk na është ofruar kurrfarë prove”