Kërkohet marrja e masave: Paralajmërohet se serbët mund të shkaktojnë sërish trazira më 31 gusht

Në fundjavën që lamë pas qeveria e Kosovës filloi implementimin e vendimit për reciprocitet për dokumentet identifikuese të qytetarëve serbë që hyjnë në Kosovë.

Ky veprim i Qeverisë bëri që situata në veri të Kosovës të tensionohet për shkakun se serbët atje, mes shumë veprimeve vendosën barrikada në rrugët që çojnë për në pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinjë, shkruan lajmi.net.

Përveç bllokimit të rrugëve në veri nga grupet kriminale serbe u lëshua edhe një alarm, po ashtu u raportua se atje kanë qenë të pranishëm edhe persona të maskuar, e të cilët kanë rrezikuar në disa raste qytetarët kosovarë.

Kësisoj, për shkak të tensioneve të krijuara, qeveria e Kosovës me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka shtyrë aplikimin e vendimit deri më 1 shtator.

Në lidhje me këtë lajmi.net ka kontaktuar me ekspertin ushtarak dhe të sigurisë, Ramadan Qehajen.

I pyetur për zhvillimet në veri dhe për mundësinë se a mund të përsëriten ato prapë në shtator, Qehaja tha se në mënyrë që këto ngjarje të mos ndodhin përsëri, duhet të merren masa.

“Unë mendoj që tensionet në veri janë rezultat i një situate 22 vjeçare ashtu të shprehem. Dhe tani jemi në një moment shumë kritik sa i përket uljes së shtetësisë sonë në atë pjesë të territorit tonë. Nuk dua t’i përshkruaj ato çfarë kanë ndodhur atje, por unë mendoj që tensionet të cilat ndodhën mund të përsëriten vetëm atëherë, nëse ne nuk intervenojmë, veprojmë. Tash i dim kush janë ata njerëz që i kanë bërë bllokadat dhe kush janë ata vozitës, pronarët e atyre automjeteve. Ku dhe nga vijnë ato sirena, të cilat në mënyrë të paautorizuar dhe ilegalisht dalin dhe japin alarm popullatës atje për një mos dëgjueshmëri bukur të madhe atje. Do të thotë, ne prej këtij momenti deri me 1 shtator të bëjmë punën tonë, edhe policia e Kosovës edhe AKI-ja, edhe organet tjera. Por duke iu kundërvu gjithnjë dhe duke i zbuluar të gjithë atë agjenturë serbo-ruse të sigurimit e cila atje vepron me të madhe. Pra nëse këto gjëra nuk definohen, nuk zbulohen unë mendoj që mund të na përsëriten gjërat”, ka thënë ai.

Lexo edhe:  Zhduket një 13 vjeçar në Fushë-Kosovë

Ai tutje tha se e kupton qeverinë por se, nëse nuk mësohet se kush e ka lëshuar alarmin në veri dhe kush i ka bërë ato veprime, atëherë mund të përsëritet situata e njëjtë edhe më vonë.

“Unë e kuptoj edhe qeverinë, edhe pse unë jam një ithtar i madh që ne ta kthejmë pushtetin atje, në atë pjesë të territorit dhe ai është qëllimi i qeverisë tonë. Ne duhet ta bëjmë një plan, t’i plotësojmë njësitet prej njësive tjera dhe të mos lejojmë që të mos zbulojmë diçka që mundet me na befasua. Nëse i dim tash kanalet se nga kanë ardhur këta njerëz me këto automjete për ta bërë një barrikadë, apo shumë barrikada që atje ndodhën dhe që këto kanë ndodhur që 22 vite, ne jemi mësuar me këto barrikada. Dhe nëse nuk e dim se kush e bën alarmin atje atëherë mund të na ndodh ajo çka ka ndodh para 3-4 ditëve”, ka thënë Qehaja.

Rreth kësaj situate dhe mundësisë që të përsëritet prapë një reagim ka ardhur edhe nga Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se për çfarëdo kërcënimi që mund të vije, ata po punojnë me aleatët e Kosovës që t’i përballojnë ato.

“Çfarëdo lloj kërcënimi që të na vijë, ne do ta përballojmë me aleatët tanë. Kemi bashkëpunim me NATO-n. Kemi trupat e KFOR-it. Kosova është e sigurt ndaj çdo inkursioni serb. Jemi të kujdesshëm, por jo të frikësuar. Po punojmë në planin politik të afirmojmë Kosovën dhe të forcojmë lidhjet me miqtë tanë. Nuk ka guxim dhe kapacitete për të sulmuar Kosovën. Ka pozicionim legal të NATO-s dhe KFOR-it për mbrojtjen e territorit të Kosovës. Ka vetëm rikonfimim të NATO-s që Serbia nuk tolerohet”, ka deklaruar Sveçla.

Lexo edhe:  Djali dhe nipi i heroit Agim Hajrizi: Ftojmë të gjithë të investojnë në veri

Përndryshe rreth tensioneve në veri të Kosovës ka reaguar edhe KFOR-i, nga ku është thënë se ata po e monitorojnë situatën dhe se misioni mbetet i përkushtuar ndaj sigurisë në Kosovë.

“KFOR-i po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës me organizatat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë. Nën mandatin e OKB-së, KFOR-i mbetet fuqimisht i përkushtuar ndaj sigurisë, i gatshëm të marrë masat e nevojshme për ta mbajtur Kosovën të sigurt”, është thënë në njoftimin e KFOR.