Kërcet grushti për borxh në Prizren, 39-vjeçari e bën për spital një person
Vonesa e pagesave të borxhit shpeshherë bëhet mollë sherri mes qytetarëve, duke bërë kështu që intervenimi i organeve të rendit për të zgjidhur konfliktin, të jetë i domosdoshëm.
Një ngatërresë e cila dyshohet se motiv ka një obligim financiar të pashlyer ka ndodhur së fundi në një pompë derivatesh në fshatin Gjonaj të Prizrenit. Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një 39-vjeçar dyshohet se ka sulmuar fizikisht një person.
34-vjeçari si pasojë e lëndimeve te marra ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Polici.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në kuadër të veprimeve hetimore kanë marrë edhe pamjet e kamerave të sigurisë që monitorojnë atë zonë.
Si rezultat i kësaj, i dyshuari është arritur që të arrestohet dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.