Kërcet grushti mes kushërinjve në Pejë, katër të rinj rrihen 2 VS 2 – arrestohen

Të rinjtë kosovarë shpesh herë përfshihen në zënka me njëri-tjetrin. Madje s’janë të rralla rastet kur në konflikte janë të përfshirë anëtarët e së njëjtës familje, duke eskaluar ofendime e në përleshje fizike.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në sheshin ‘Skënderbeu’ në Pejë, ku për shkak të një konflikti verbal, katër persona janë përfshirë në një rrahje.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për djemtë e familjes Kastrati, ku dy vëllezër janë rrahur me dy kushërinjtë e tyre. Si pasojë e përleshjes, që të katërtit kanë marrë lëndime trupore për çka kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Ndërkohë është njoftuar edhe Policia, me ç’rast njësitë policore kanë intervenuar dhe kanë arrestuar personat e dyshuar të cilët janë të moshave nga 19-25-vjeç.

Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tyre është iniciuar rasti ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Lexo edhe:  Njëri nga tre policët e kidnapuar nga serbët u kthye nga pushimi mjekësor në punë, kishte probleme me astmë