Kërcënoi me kaçavidë policët e trafikut, ky është 21-vjeçari që u arrestua në rrugën ‘Agim Ramadani’

Disa zyrtarë policorë të trafikut janë ballafaquar të premten me një qytetar i cili përveç që shpërfilli urdhrat e tyre, edhe i kërcënoi e rrezikoi ata. Ngjarja ka ndodhur në qendër të Prishtinës, në orët e mbrëmjes.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Jetmir Krasniqin, 21-vjeçar, i cili është arrestuar dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.

Por si ndodhi rasti dhe si i kërcënoi policët i dyshuari?

Gjithçka dyshohet se ndodhi gjatë periudhës kur Njësia e Trafikut ishte në rrugën “Agim Ramadani”, duke monitoruar mbarëvajtjen në trafik. I riu që ishte duke lëvizur me motoçikletë, i mllefosur dyshohet se kishte bërë veprime agresive, duke bërtitur në mes të rrugës.

Për ta vënë situatën në kontroll, Policia fillimisht e ka ndaluar dhe ia ka kërkuar dokumentet për ta verifikuar. Këtë urdhër ai nuk e zbatoi, me ç’rast refuzoi t’i prezantojë dokumentet dhe situata eskaloi në momentin që Policia tentoi t’ia marrë motoçikletën.

Ai po dyshohet se ka nxjerrë nga xhepi një kaçavidë dhe me të ka kërcënuar zyrtarët policorë, për të vazhduar më pas me lëvizje të rrezikshme me automjetin e tij derisa është rrëzuar vet.

Si pasojë e lëndimeve, ai u dërgua në Qendrën Klinike Universitare për trajtim, e më pas në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë lidhur me rastin.

Prokurori ka vlerësuar se i njëjti duhet të dërgohet në mbajtje dhe të hetohet në drejtim të veprës penale “kanosje”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  “Kurti po mbron hajnat”: Haxhiu reagon për videon e kryeministrit