Kërcënimet ndaj gazetarëve në rritje – 29 raste të raportuara vetëm në katër muajt e parë të vitit 2025
Gazetarët në Kosovë vazhdojnë të përballen me një klimë të pasigurt, ku profesionistët e medias gjithnjë e më shpesh bëhen shënjestër e kërcënimeve dhe sulmeve për shkak të punës së tyre.
Vetëm gjatë periudhës janar-prill të këtij viti janë regjistruar gjithsej 29 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve dhe institucioneve mediale në vend, duke ngritur alarmin për gjendjen e lirisë së shprehjes dhe sigurisë së gazetarëve.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thotë se “Statistikat tregojnë se gazetarët vazhdojnë të përballen me sfida serioze në kryerjen e punës së tyre. Gazetarët duhet të lejohen ta bëjnë punën e tyre në interes të publikut, pa u penguar dhe të lirë”.
“AGK-ja mbetet e përkushtuar në monitorimin e situatës dhe avokimin për sigurinë e gazetarëve.”, thuhet tutje në njoftimin e tyre.