Kapet edhe një hajn i marketeve duke vjedhur mish në ‘Eli-Ab’ në Ferizaj

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri për bizneset.

Marketet në Kosovë janë shumë shpesh cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje, duke kapur qoftë para apo edhe gjësende ushqimore.

Kështu ka ndodhur edhe së fundmi në marketin “Eli-Ab” në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj, ku një person ka arritur të vjedh disa pako me mish, por u kap në flagrancë nga punëtori i sigurimit, edhe pse tentoi të ikë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Agron Baliun, 23-vjeçar, i cili nuk e ka sefte këtë rast. Ai është arrestuar gjatë ditës së djeshme, por dyshohet se vepra të tilla ka kryer edhe më parë pasi është emër i njohur për Policinë.

I njëjti u prangos pasi sigurimi njoftoi Policinë dhe kërkoi ndihmën e tyre para se i dyshuari të ikte. Njësiti policor që intervenoi në këtë rast e shoqëroi të dyshuarin në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë për rastin. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor prej 48 orësh për veprën penale “Vjedhje”.

Lexo edhe:  Gjendet e vdekur një 24 vjeçare në Mitrovicë, Policia po e konsideron të dyshimtë